Skënderbeu, i pamëshirshëm në të Parën
Skënderbeu po dominon totalisht Kategorinë e Parë: pesë ndeshje, pesë fitore. Skuadra korçare regjistroi një fitore të pastër ndaj Laçit, falë golave të kapitenit Ligoraq Tiko në dhjetë minutat e fundit të takimit. Tashmë Skënderbeu ka një diferencë prej gjashtë pikësh me Luftëtarin (barazoi 1-1 me Turbinën) dhe është në pritje të takimit të Kastriotit me Dajtin (luhet të dielën) Ky është takimi i 12-të midis Skënderbeut e Laçit: 5 fitore Skënderbeu, 3 barazime, 4 fitore Laçi. Tërbuni i Pukës fitoi 2-0 me Skraparin e Ylli Shehut, që ende nuk e ka shijuar fitoren e parë në këtë sezon. Kjo ishte dhe ndeshja e tyre e parë historike në Kategorinë e Parë. Naftëtari i Vangjel Capos fitoi 3-1 në “Bashkim Sulejmani” me Besëlidhjen e Valentin Gjetjes, duke u barazuar me pikë me skuadrën lezhjane (7). Gramozi vazhdoi serinë pozitive të këtij fillimsezoni, duke fituar 2-0 me Burrelin me dy gola të shënuar nga brazilianët Oliveira e Dos Santos.
KATEGORIA E PARE
Java V
Të shtunën, 04.10.2008
Naftëtari-Besëlidhja 3-1
Turbina-Luftëtari 1-1
Pogradeci-Bilisht Sport 1-0
Gramozi-Burreli 2-0
Skënderbeu-Laçi 2-0
Tërbuni-Skrapari 2-0
Të Dielën, 05.10.2008
Dajti-Kastrioti
Sopoti-Ada
* Ndeshjet fillojnë në orën 15:00
TË DIELËN
DAJTI-KASTRIOTI
Edhe pse presidenti i Dajtit, Naim Qarri, ka investuar shuma të mëdha, ende skuadra periferike kryeqytetase nuk ka dhënë më të mirën e saj: vetëm 7 pikë nga 12 të mundshmet. Kastrioti i drejtuar nga një “dhelpër” malazeze si Dervish Haxhiosmanoviç do të bëjë gjithçka për të fituar takimin. Asnjë precedent midis dy ekipeve. Ndeshja do të gjykohet nga Mirush Metohia.
SOPOTI-ADA
Librazhdasit synojnë vetëm tre pikët më velipojakët e Adës, duke synuar rokadën e vendeve në klasifikim: Ada, 4 pikë; Sopoti, 3 pikë. Ky është takimi i 4-t midis tyre (1 fitore Sopoti, 0 barazime, 3 fitore Ada). Ndeshja do të gjykohet nga Ardian Beqiri.
Rikthehet Edmond Kapllani
Edmond Kapllani iu rikthye futbollit të luajtur, pas dëmtimit disa ditor. Sulmuesi i Kombëtares luajti si zëvendësues në fitoren 2-1 të Karlsruhes kundër Arminia Bielefeldit, duke çuar tri pikë të rëndësishme në shtëpi. Kapllani, i cili është thirrur për ndeshjet e Shqipërisë kundër Hungarisë e Portugalisë, hyri në fushë në minutën e 80-të, duke zëvendësuar sulmuesin australian Xhoshua Kenedi.
Ançeloti konfirmon “tredhëmbëshin”
Për transfertën e Kaljarit tekniku i Milanit, Karlo Ançeloti, konfirmoi në sulm “tredhëmbëshin” brazilian të përbërë nga Kaka, Pato e Ronaldinjo. “Për atë që kanë bërë në derbi (kundër Interit) është e drejtë që t’i konfirmoj edhe të dielën (kundër Katanias), pasi për momentin përfaqësojnë zgjidhjet më të besueshme’, - tha trajneri i kuqezinjve, i cili pret një fitore. Në bankinë do të jenë Inzagi dhe Shevçenko.
MOTOGP, Stoner “pole” në Australi
Kajsi Stoner fitoi “pole”-n e MotoGp të Australisë, duke arritur suksesin e tetë sezonal në kualifikuese. Australiani i Ducati-it ishte dhe autori i xhiros më shpejtë me 1'28''665, para spanjollit Jorge Lorenzo (Yamaha) dhe amerikanit Nicky Hayden (Honda). Një rrëzim në fazën finale të kualifikueseve i kushtoi kampionit të botës, Valenitino Rosi, vendin e 12-të.
5 Tetor 2008