E Diel, 1 Nëntor 2026

“Skaner Sociologjik”, forum i organizuar nga gazeta Albania dhe Instituti i Sociologjisë



Opinione të hedhura në “Skaner”

Moderatorët e debatit për arsimin e lartë po rikthejnë edhe një herë opinionet e publikuara deri më tani. Shkrimi i Dr. Lekë Sokolit, drejtor i Institutit të Sociologjisë shtron për lexuesit dhe publikun idenë për nisjen e diskutimeve për një master-plan kombëtar për arsimin, apo konsensus kombëtar. Ndërsa Dr. Zamira Çavo tregohet tejet kritike për politikat e aplikuara deri më tani nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, duke i konsideruar një “rrumpallnajë”. Ajo ngre edhe një sërë problemesh që kanë të bëjnë me zbatueshmërinë e Sistemit të Bolonjës dhe shumë çështje të tjera. Më tej, në shkrimin e publikuar dy ditë më parë, Isidor Koti, anëtar i IS-së dhe pedagog në Universitetin e Elbasanit ngre shqetësimin e thithjes së trurit; pra të të rinjve të diplomuar jashtë vendit, në universitetet perëndimore. Sipas tij, ardhja e tyre në Shqipëri mund të sjellë një kontribut për përmirësimin e cilësisë dhe standardeve në arsim. Për këto tre problemet e ngritura në këtë debat, dhe për çështje të tjera, janë të ftuar që të marrin pjesë drejtues të universiteteve, stafeve pedagogjike, akademikë dhe përfaqësues të shoqërisë civile që janë të përfshirë në proceset dhe reformat për një arsim sa më cilësor në Shqipëri.

1- Arsimi i Lartë, të risim nga master-plani kombëtar
Dr. Lekë Sokoli

“Sot me mijëra burra e gra janë venë në kërkim të një diplome të pamerituar për djalin/vajzën e tyre. Më ka qëlluar të intervistoj individë të ndryshëm për universitetet. Por disa më kanë sugjeruar që në vend të fjalës “universitet” të përdor “qendër e shitjes së diplomave...”. Ka vend që të vihemi në kërkim të rrugëve për shndërrimin e shkollës së lartë në shkollë të vërtetë. Duke filluar me idetë për një master-plan kombëtar, për një konsensus kombëtar për arsimin. Për të vijuar me vullnetin politik, akademik e qytetar.”

2- Rrumpallnajë me reformat në Arsimin e Lartë
Dr. Zamira Cavo*

“Vendi ynë, me reformat që ka zhvilluar në arsim, duket se nuk ka gjetur dot rrugët e duhura. Reformat e zhvilluara në këtë fushe kanë shkaktuar po atë rrumpallnajë që në përgjithësi kanë shkaktuar “reformat” në Shqipëri. Ka disa arsye pse e them këtë; arsye që lidhen me sistemin ligjor, i cili më së shumti nuk bazohet në kushtet konkrete, nuk fokuson perspektivën, jo rrallë mbetet pa infrastrukturë tjetër ligjore dhe së fundi mbart interesat politike të një grupi , dhe pse jo të një individi”

Inteligjenca jashtë kufijve është harruar
Isidor Koti

“Shtetet perëndimore investojnë miliona për të thithur trurin nga e gjithë bota dhe nga të gjitha racat. Në qoftë se strukturat përkatëse administrative nuk veprojnë në kohë dhe me efikasitet rreth këtij problemi, do të humbasim rastin t’i bashkojmë shoqërisë tonë një brez me të rinj të kualifikuar dhe me ide të reja, të cilët do të jenë një shtysë për të ecur përpara me mentalitet bashkëkohor”

5 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›