E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bolero në vilën e pleqve Fatos Kongoli: Një eksperiment dhe aventurë e imja

Vetmia, ekzistencializmi dhe bota e brendshme e një femre në romanin më të ri të shkrimtarit 
Shkrimtari Fatos Kongoli vjen pranë lexuesit shqiptar me romanin e tij të dhjetë Bolero  në vilën e pleqve. Figura e femrës, si qenia më e pambrojtur e shoqërisë shqiptare, trajtohet në romanin më të ri të shkrimtarit. Sipas kritikëve letrarë Kongoli me këtë roman është hedhur në një univers tjetër. Duke iu afruar ekzistencës njerëzore, e jo më përmes personazheve mashkullore që mbizotërojnë në romanet e tij, por përmes femrës dhe dramës se saj ekzistenciale në shoqërinë shqiptare. Vetë autori këtë vepër shikon ndryshe nga romanet e tij të mëparshëm. Femra: Kjo ka qenë dilema ime më madhe. Ka qenë burimi më i madh para se unë ta shkruaja, sepse personazhi kryesor ishte një femër jo fort e zakonshme e megjithëse një njeri i rëndomtë në jetën e përditshme, burimi im ka qenë nëse do ta shkruaj në vetën e tretë apo të parë dhe me të vërtetë unë fillova të shkruaja këtë libër në vetën e parë. Shkruaja shumë faqe dhe nuk po më pëlqente mënyra se si unë shkruaja, dhe e lashë punën. Dy apo tre javë unë nuk punova, dhe më pas vendosa të bëj një eksperiment. Vendosa që unë të shkruaja në vetën e parë. Vendosa të futesha për herë të parë në këto përmasa të një femre, e cila ka një moshë të re 22 vjeç, edhe të flas me gojën e saj, në të vërtetë kjo qe një eksperiment dhe një aventurë nga ana ime,u shpreh shkrimtari. Më tej ai shtoi se gjatë kohës që ka shkruar romanin, ai ka qenë me një ngarkesë emocionale shumë të madhe. Them eksperiment në kuptimin jo se diçka e tillë nuk njihet në letërsinë e shkruar, pasi shumë shkrimtarë meshkuj janë vënë në rolin e një gruaje, por kjo për mua ishte një përvojë e re. Gjatë kohës që unë kam shkruar këtë roman kam qenë me një ngarkesë emocionale shumë të madhe, aq smund të them se unë kam ecur në tehun e një brisku. Deri kur përfundova, unë e shihja me dyshim atë që po bëja. Nëse unë po flisja vërtetë natyrshëm me gojën e një femre, dhe si do të dilte kjo. Këtë merak, këtë frikë që unë e kam pasur nga fillimi deri në fund, ma hoqi i pari i zoti Tupja, theksoi shkrimtari Fatos Kongoli. Më tej autori Kongoli duke folur mbi veprën e tij më të fundit tregon se me këtë roman ai konfirmoi, se i kishte bërë mirë këmbëngulja për të shkruar këtë vepër. Unë jam dakord që në letërsi libri më i mirë nuk mund të shkruhet kurrë. Unë bëra mirë që këmbëngula për të shkruar këtë libër dhe me të unë dola nga qerfulli që isha deri tani. Shkuarja e një libri është një proces i çuditshëm,i veçantë. Sa më shumë futesh në botën e letërsisë, aq më shumë kupton se njeriu është i pafuqishëm për të përballuar realitetin e një ekzistencializmi, theksoi ai. Kritikë dhe studiues letrarë vlerësojnë tek romani i fundit i Kongolit aftësinë e tij për tiu afruar me një gjuhë të sofistikuar dramës ekzistenciale njerëzore. "Është një përmbysje e të gjitha llojeve të paktën në Shqipëri, me sa di unë të konceptimeve të personazhit dhe bota shihet me sytë e kësaj infermieres. Kjo thotë unë, flet me unë", u shpreh prof. Edmond Tupja. Studiuesja dhe shkrimtarja Flutura Açka e cilësoi romanin e ri të Kongolit si një nga veprat më të mira të viteve të fundit. Ky roman përmban një ironi në kufijtë më të hollë dhe kjo shfaqet mes normalitetit që i shton më tepër kureshtjen lexuesit", theksoi ajo. Fatmir Toçi, President i Shtëpisë së Librit dhe promocionit "Toena", u shpreh se kjo vepër është më e mira e shkruar nga autori. Romani lëkundi gjithë bindjen time se romani më i mirë i Kongolit ishte "Jetë në një kuti shkrepësesh. Fatos Kongoli është shkrimtari më përfaqësues i tranzicionit, madje ai është quajtur dhe si shkrimtari që përfaqëson më mirë letërsinë shqipe në gjuhët e botës, pasi veprat e tij janë botuar në anglisht, frëngjisht, italisht, bullgarisht, dhe po përkthehen së fundmi dhe në spanjisht, u shpreh Toçi. Përmes rrëfimit të infermieres personazhit kryesore të romanit, shkrimtari Fatos Kongoli zbulon misteret dhe dramat e personazheve që jetojnë në vilën e pleqve, ndërlikimet, dëshirat e fshehura në një mjedis të egër, e të pamëshirshëm, ku femra është më e pambrojtur. Romani i ri është një përpjekje e mundimshme e autorit për të depërtuar në skutat më të arrta të psikikës njerëzore, një tablo e errët, me ngjyra të rreme të një jete vanitoze dhe të  trishtueshme të shoqërisë sonë që sapo është  çliruar nga kthetrat e një shoqërie të mbyllur, por që hapjen ndaj botës e përjetoi si shqyerje të portave dhe lirinë si anarki, ku pasiguria e jetës së njeriut, sidomos e femrës, rrezikoi të fusë me përmasa të frikshme gjithë shoqërinë shqiptare në rrugën e deformimeve të ndjeshme të karakterit dhe të vetë qenies. Fatos Kongoli është autor i një vargu librash,si  "Ne të tre", "Karuseli", "I humburi", "Kufoma", "Dragoi i fildishtë", "Ëndrra e Damokleut", "Lëkura e qenit",   "Jetë në një kuti shkrepësesh", etj.

Email This Klikime: 18

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›