Instituti Italian i Kultures shfaq ne Tirane, Normen e Vincenco Belinit

Tiranë, 7 shkurt 01:28 NOA – Instituti Italian i Kulturës organizon shfaqjen e të famshmes tragjedi lirike “Norma” të Vincenco Belinit, informoi per agjencine e lajmeve NOA, Ambasada Italiane në Tiranë.
Vepra me dy akte do të ketë për regjisor, mjeshtrin Nikola Zorzi dhe orkestra simfonike e TKOB, do të ketë drejtimin e Eddi de Nadai.
Opera Lirike “Norma” do të shfaqet ditën e sotme (E Shtunë) si dhe në data 10 dhe 13 shkurt, në orën 19.00 në teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit.
Protagonistët në rolin e solistëve do të jenë Eva Golemi, Branko Robisak, Shpresa Beka, Armando Likaj dhe Aleksandër Rrapi.
Spektakli është një bashkëpunim i Institutit Italian të Kulturës në Tirane dhe Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit.
Eddi De Nadai, ka drejtuar në vitin 2006 në Tiranë edhe operën “Un ballo in maschera”.
Pas diplomimit në piano dhe klavicembalo në Konservatorin e Vicenzas, ka studiuar Dirizhim Orkestre pranë Akademisë Filarmonike të Bolonjës, duke u specializuar më tej me Donato Renzetti, Julius Kalmar dhe Romolo Gessi.
Pas debutimit si Drejtor i Orkestrës Simfonike Hungareze të Pècs, ka drejtuar “Barbiere di Siviglia” dhe disa koncerte liriko-simfonike në Teatrin e Operës së Shtetit të Izmirit si dhe opera të tjera me Teatrin Lirik të Shtetit të Kraiovas (Rumani), Koordinimin Teatror Trentin, Orkestrën Filarmonike Veneziane, Orkestrën e Dhomës së Friuli Venezia Giulias.
De Naddai ka bashkëpunuar edhe me këngëtarë me famë ndërkombëtare si Luciana D’Intino, Katia Riciarelli, Ferruccio Furlanetto, Leo Nucci.
Aktualisht docent në Konservatorin e Venezias, po ashtu, ai ka dhënë edhe kurse mbi repertorin operistik italian në Wesleyan College të Maconit (Georgia – Usa), në Konservatorin e Izmirit dhe, për vite, ka qenë docent në kurset verore të Spoleto Vocal Arts Symposium.
e.l/NOA