Boll shantazhit dhe mbajtjes peng
ADRIATIK KELMENDI
PROBLEMI I KOSOVËS për Serbinë ka kohë që nuk është problem real, por elektoral. Thjesht, nuk është fare e kapshme më për asnjë subjekt serioz politik në Serbi që të mendojë se Kosova do të kthehet në kuadër të Serbisë. Mirëpo, Kosova dhe gjithçka rreth saj vazhdon e përdoret për të arritur rezultate zgjedhore.
Këtë, më së miri, me dinakëri, është duke e shfrytëzuar Partia Demokratike e Boris Tadiçit (dikur e Zoran Gjingjiçit të vrarë), e cila po ia del që prej se u rrëzua Slobodan Milosheviçi, në tetor të 2001-ës, ta shantazhojë Perëndimin. Dhe atë me kushtëzime. Duke i detyruar të gjitha qendrat perëndimore të vendosjes që shpesh pa kushte konkrete, ta ndihmojnë me të gjitha marifetet që të fitojë zgjedhjet në Serbi. Kërcënimi i kësaj partie është gjithnjë i njëjtë dhe bajat: në qoftë se nuk na përkrahni ne edhe duke mbyllur sytë para problemeve të mëdha që shkaktohen do të fitojnë ekstremistët prorusë.
Kështu, ky subjekt, vetëm me anë të shantazhit të ulët po ia del që të bëjë të gjithë ta përkrahin shpesh blanco dhe pa rezervë. Pra, duke u imponuar jo me vlera, por me kërcënim.
Aq më tepër, kjo po lejohet të ndodhë edhe pse qëndrimi i Partisë Demokratike (DS) ndaj shteteve fqinje, përjashto luftën, nuk ka ndryshuar shumë nga koha e Milosheviçit dhe për këtë shkak Serbia sot ende vazhdon të jetë si natyrshëm aleate më e madhe e shteteve despotike të Lindjes dhe armiqve të Perëndimit. Kurse, për çudinë e shumëkujt, i ka shkuar përdore ta rehabilitojë edhe Partinë e Milosheviçit, Partia Socialiste e Serbisë (SPS), duke bërë koalicion.
Tash me të drejtë mund të pyetemi, çka mund të bëjë më tepër Partia e Tadiçit, e sërish të shihet si partnerja e vetme perëndimore e Serbisë. SPS, që është në pushtet me Tadiçin, ka shkaktuar të gjitha luftërat në ish-Jugosllavi, me mbi 200 mijë viktima e miliona refugjatë, kurse ende si kërcënim merren partitë që nuk e kanë pasur kurrë në dorë pushtetin në Serbi, përveçse në rastet kur SPS ka dashur ta ndajë përgjegjësinë me ta për krimet?! Kësaj tashmë i ka dalë boja.
SIDOQOFTË, KËTO LOJËRA më së shumti janë thyer në kurriz të Kosovës. E gjithë jeta politike në Kosovë dhe rreth saj, tash e 10 vjet rrotullohet rreth ciklit zgjedhor të Serbisë. Dhe e pamë se ndodhi edhe tash.
Prishtina u detyrua të bëjë kompromise me pasoja afatgjata në dialogun teknik-politik me Beogradin në Bruksel, në mënyrë që Serbia ta fitonte statusin e kandidatit për Bashkimin Europian.
Me këtë rast, nuk u përfill edhe Kushtëzimi Merkel i vitit të kaluar, që Beogradi nuk mund të fitojë kandidaturën pa i shuar strukturat ilegale në Veri të vendit. Mjerisht, këtu edhe qeveria e Kosovës nuk u tregua më e shkathët dhe e la që ky kushtëzim i fortë të kalojë pa u përmbushur.
Fatkeqësisht, ky është edhe sinjali i keq që i është dhënë dhe u konfirmua se po vazhdon ti jepet Tadiçit. Të inkurajuar me lëshimet pe si në Prishtinë, ashtu dhe nga shtetet e Bashkimit Europian që e kanë njohur pavarësinë, ata tash e ndiejnë veten të pazëvendësueshëm dhe shantazues klasikë.
Tash Tadiç, lëre që nuk i ka hequr strukturat ilegale, por planifikon ti mbajë zgjedhjet parlamentare të pranverës edhe në Veri të vendit. Dhe besoj, secili që do të ndodhej në vendin e tij, nuk do të kishte përse të mos vepronte njësoj. Ai po e sheh se mund tia dalë që të sfidojë edhe kushtëzimet e shtetit më të fuqishëm europian, Gjermanisë, dhe të arrijë atë që do. Logjikisht, përse të mos e provojë sërish me zgjedhjet?!
POR, SI DUKET, ka ardhur tashmë dakiku kur vërtet duhet thënë: Boll! Jo vetëm Beogradit, por edhe Prishtinës. Qeveria Thaçi tashmë duhet ta dijë se nuk ka çka të humbë në qoftë se mbyll sytë para provokimit të radhës që po përgatitet nga Beogradi, edhe pas dëmtimit që ia shkaktoi vetvetes me fusnotën për ta ndihmuar Serbinë. Kushtëzimi duhet të jetë i qartë: nëse nuk përmbushen të gjitha marrëveshjet e arritura në Bruksel dhe në qoftë se organizohen zgjedhjet serbe edhe brenda territorit të Kosovës atëherë do të rishikohet gjithçka e arritur deri më tash.
Kurse Perëndimi do të duhet ta kuptojë se asgjë më ngulfatëse nuk mund të ndodhë me Kosovën se çi ka ndodhur deri më tash nga pushteti në Beograd, edhe nëse atje i fitojnë zgjedhjet Nikoliçi me shokë. Së paku, të gjithë mund ta dinë me kë kanë punë në Beograd dhe do të bashkërendojë strategjitë si duhet për tu ballafaquar me ta. E jo kështu, me koalicionin e ish-partisë së Milosheviçit, me ish-partinë e Gjingjiçit, që luan me standarde të dyfishta.
Më keq se tash për Kosovën në relacion me Serbinë vështirë se mund të shkojë. Kështu që edhe Perëndimi, edhe Prishtina duhet ta kuptojnë se pavarësisht se kush është në pushtet në Beograd, Serbia do të jetë aty ku është dhe Kosova këtu ku është.
Madje, me SPS e dimë se si ishte, dhe me DS+SPS po e shohim se si është. Luftim i Kosovës atëherë, luftim i Kosovës tash, pavarësisht se me mjete të tjera. Me Nikoliçin nuk e dimë se si do të ishte. Kështu që le të vendosë vetë populli serb, pa zbukurime.
Llugë për llugë, bile të mos shantazhohet dhe mbahet peng edhe më edhe Kosova e edhe Perëndimi.