Rritja e lehtë ekonomike në vendet e Bashkimit Europian
Vetëm pak ditë më parë Presidenti i Bankës Qëndrore Europiane, Mario Dragi, ishte shprehur optimist për ecurinë e ekonomisë europiane. Sipas presidentit Dragi ekonomia e kontinentit të vjetër po stabilizohej madje hera - herës kishte edhe ndonjë përmirësim të saj. Sapo kishte përfunduar takimi i G20 dhe Dragi në një deklaratë të tij për shtypin kishte nënvizuar gjithashtu se “tregjet financiare kanë rritur besimin tek euro” dhe se “euro tashmë është në një vend më të sigurtë. Europa po ecën përpara ngadalë por në mënyrë të sigurtë”. Natyrisht nisur edhe nga këto deklarata duket se diçka po ecën mirë për Europën por kjo nuk do të thotë gjithsesi se kriza ka kaluar tashmë. Ndoshta është e vërtetë që vendi fqinj i Greqisë ka shpëtuar nga kriza por dihet gjithashtu se gjërat më të vështira për Greqinë fillojnë pikërisht tani. Në fakt sakrificat e kreditorëve privatë i kanë dhënë shpresë shtetit fqinj duke bërë të mundur mbërritjen e ndihmave ndërkombëtare. U evitua në njëfarë mënyre falimentimi i kontrolluar që do të sillte humbje për të gjithe sistemin financiar ndërkombëtar. Tani gjithçka ka të bëjë me vetë shtetin fqinj të Greqisë. Por ndoshta nisur nga fakti se gjithçka varet tashmë prej Greqisë në Europë ka shqetësim. A do të ketë mundësi Greqia që me këto masa shtrënguese fiskale të ketë atë rritje e cila të jetë në gjendje të mbajë peshën e borxhit të saj? Rruga është tejet e vështirë. Për të arritur objektivat e saj, sipas rrugës të paracaktuar edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, siç është etapa e borxhit publik të saj që duhet të jetë në nivelin e 120% të Gdp për vitin 2020, pra pas 8 vjetësh rritja e Greqisë duhet të jetë mesataisht nga 2004 deri në vitin 2020 prej 2,3%. Disa analistë flasin se kjo do të ishte një mrekulli sepse që prej vitit 2008 Greqia ka patur gjithmonë probleme dhe Gdp është ulur në vitin 2009 në 3,3%, me 3,5% në vitin 2012 dhe trimestri i fundit i vitit 2012 ka shënuar një ulje me -7,5%. Ndërkaq papunësia nga 7,7% e vitit 2008 ka arritur në 18% sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, konsumet private dhe publike janë ulur në vitin 2011 me 7 dhe 8,5%. Në të njëjtën kohë vihet re se bankat greke janë pothuajse të pafuqishme si pasojë edhe të një sistemi bankar që konsiderohet i mbyllur. Mjafton të kujtohet se bankat greke mbijetojnë vetëm prej 100 miliardë eurove të financuar nga Banka Qendrore Europiane dhe se pa këto para institutet bankare do të kishin falimentuar. Nga na tjetër nuk kishte si të ndodhte ndryshe me këto banka të cilat kanë patur edhe ikje alarmante të depozitave me një shifër që arrin në 40 miliardë euro në këto vitet e fundit. Sipas shumë analistëve ndihma e Greqisë ka ndihmuar më tepër kreditorët sesa vetë grekët. Shumica e grekëve kanë humbur punën e tyre. Por në botën globale kjo luftë financiare ka shkatuar humbjen e vendit të punës për 30 milionë njerëz në botë. A duhen ndihmuar këto vende në një kohë kur paratë e shumta ndërkombëtare që i janë dhënë Afrikës kanë konsoliduar diktaturat në vende të ndryshme afrikane duke përhapur edhe më shumë korrupsuionin dhe duke përhapur edhe parazitizmin? Përfundimisht në këto 50 vjetët e fundit Afrika më tepër është varfëruar sesa është pasuruar. Për të gjitha vendet europiane kërkohet rritja e ekonomisë së tyre. Pa një rritje ekonomike të gjithë treguesit e tjerë të ekonomisë janë pothuajse të pavlefshëm. Duke vazhduar me rritjen ekonomike, sipas Instat Italia, rritja e Italisë për të gjithë vitin 2011 ka qenë 0,5% dhe jo 0,4% siç ishte thënë në shkurt që do të thotë se situata ekonomike e Italisë ka patur ulje që prej qershorit të vitit të kaluar pas krizës ndërkombëtare. Ndërsa Gdp e vendeve të Eurozonës është ulur me 0,3%.