E Shtunë, 31 Tetor 2026

Programi i PS-së për punësimin, Rama replikon me Meidanin

Tryeza e PS për bujqësinë

Kreu i PS i përgjigjet ish-presidentit: Atyre që thonë se 300 mijë vende pune janë mashtrim, ne u themi janë të mundura.

PS mblodhi dje tryezën e programit për bujqësinë, Rama: Fshati shqiptar, si në periudhën e mesjetës.

Kreu i PS, Edi Rama, e cilësoi gjendjen aktuale në fshatin shqiptar të krahasuar me periudhën e mesjetës, ndërsa u shpreh se qeveria e PS do të ndërmarrë reforma të thella. Në tryezën e programit të ri të PS për çështjet e bujqësisë, kryesocialisti vlerësoi zhvillimin në komunën e skajit jugor, Xarë, si një sukses që duhet përhapur në të gjithë vendin. Me këtë sukses Rama u ka dhënë përgjigje dhe zërave skeptikë në PS, si ish-presidenti Meidani, për pamundësinë e hapjes së vendeve të punës. Atyre që thonë se 300 mijë vende të reja pune brenda një mandati në Shqipërinë e sotme janë utopi dhe madje edhe mashtrim, ne u themi me plot gojën që janë plotësisht të mundura, duke pasur parasysh se çfarë hapësire të jashtëzakonshme mundësish ka në hapësirën rurale të Shqipërisë, u shpreh Rama.
Pak para Kongresit të nëntorit 2011, ish-presidenti Meidani, në një shkrim për Panorama, u shpreh se premtimi i bërë nga përfaqësues të lartë të PS se mund të hapen 300 mijë vende të reja pune, është demagogji dhe mashtrim, duke dhënë edhe formulën e paarritshme matematikore të këtij premtimi. Kryesocialisti, duke iu referuar arritjeve të komunës Xarë, tha se kjo përvojë zgjidh shumë probleme, siç është edhe ai i punësimit, ku 100% e banorëve të kësaj komune janë të punësuar, madje presin të punësojnë edhe të tjerë jashtë komunës. Mjafton që tu referohemi historive të suksesit në vendin tonë, sado të pakta, për të kuptuar se nëse zhvillimi modern rural nënkupton prodhim, nënkupton punësim, nënkupton eksport, nënkupton edhe një hapësirë dhe një ambient rural të mbrojtur dhe të qëndrueshëm; të gjitha këto elemente ne i kemi pjesë të zhvillimit të integruar të komunës së Xarës, që është një nga shembujt më spektakolarë të asaj që mund të jetë Shqipëria Europiane në territorin e hapësirës rurale. Përderisa ka ndodhur në Xarë, pse të mos ndodhë kudo?, u shpreh Rama. Kryesocialisti ironizoi dje dhe fushatat e Kryeministrit për drurët frutorë. Fshati sduhet të jetë territor eksperimentesh dhe territor ku politikat e qeverisë ndryshojnë sipas stinëve të të menduarit të Kryeministrit apo të ministrit të radhës. Dhe ku Shqipëria bëhet një herë vendi i arrave, pastaj vendi i rrushit, e ndërkohë mbetet edhe pa arra, edhe pa rrush, u shpreh Rama. Gjithashtu Rama i cilësoi të dështuara të gjitha premtimet dhe ndërhyrjet e qeverisë në politikat e fshatit dhe për fermerët.

Platforma e PS për zhvillim rural
.    Një Ministri e Zhvillimit Rural, që duhet ti japë fund fragmentimit edhe strukturor të politikës qeveritare për hapësirën rurale.
.    Kthesë radikale në qasjen ndaj gjithë hapësirës rurale, ndaj gjithë resurseve rurale, ndaj gjithë ambientit rural.
.    Konsolidimi ligjor i fermës shqiptare, duke respektuar të drejtën e pronës private mbi tokën dhe duke i dhënë një dokument që ta bëjë të qëndrueshëm investimin e tyre për tokën, është prioritet në programin tonë për zhvillimin rural modern.
.    Do të shikojmë mundësinë e furnizimit. Sigurisht që është shumë e rëndësishme si do të përballohet çmimi tri herë më i shtrenjtë i naftës sesa në vitin 2005.
.    Qeveria jonë do të nxisë investimet private, do të përforcojë institucionet që mundësojnë cilësi dhe garanci për materialin mbjellës bujqësor dhe blegtoral.
.    Do të ofrojmë garanci për shërbime cilësore veterinare dhe fitosanitare, për trajtimin e harmonizuar dhe eficient të tokës bujqësore, krijimin e një modeli funksional të administrimit të kapaciteteve ujitëse e sistemeve kulluese dhe fondit gjenetik.
.    Do të mundësojmë krijimin e rrjetit kombëtar të grumbullimit, ruajtjes dhe tregtimit me shumicë, me qëllim që produktet vendase bujqësore e blegtorale të jenë prezente sa më gjatë në tregun shqiptar.
.    Skema e rimbursimit me 6% të TVSH-së për shitjen e produkteve bujqësore nuk ka dhënë asnjë rezultat.
.    Politika fiskale që ne ofrojmë do të shënjestrojë uljen e drejtpërdrejtë të çmimeve të mekanikës bujqësore dhe imputeve bujqësore, me qëllim uljen e kostove të prodhimit, rritjen e konkurrencës.

Meidani
Ish-presidenti Rexhep Meidani e konsideron premtimin e Ramës për të hapur 300 mijë vende të reja pune brenda mandatit të parë të PS në pushtet, një mashtrim të ngjashëm me premtimet 7-vjeçare të Berishës në pushtet. Duke analizuar me shifra mundësinë e punësimit në sektorin privat, Meidani thotë se duhen të paktën 3 deri në 4 miliardë euro për të arritur një shifër të tillë punësimi, çka përfshin një buxhet të tërë vjetor të qeverisë.

Pronësia
Kryesocialisti e cilësoi menaxhimin e sipërfaqeve bujqësore të dobët, ndërsa zhvillimin e fermës shqiptare problematike për shkak të çështjeve të pronësisë. Konsolidimi ligjor i fermës shqiptare, duke respektuar të drejtën e pronës private mbi tokën të atyre që jetojnë me tokën dhe ende nuk kanë një dokument që ta bëjë të qëndrueshëm investimin e tyre për tokën, është prioritet në programin tonë për zhvillimin rural modern.

Ish-ministri i Nanos, në krye të punës për bujqësinë
Ish-ministri i Bujqësisë në qeverinë socialiste të drejtuar nga Fatos Nano, Agron Duka, ishte dje në krah të kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama. Duka u kooptua në Asamblenë Kombëtare të PS që para Kongresit të 5 nëntorit 2011, bashkë me disa ish-deputetë socialistë si Musa Ulqini, Besnik Dervishi, Ndriçim Hysa etj. Ish-ministri socialist i Bujqësisë është zgjedhur nga Asambleja Kombëtare kryetar i grupit të punës për zhvillimin rural. Duke folur dje në tryezën e PS-së për bujqësinë, Duka tha se në bashkëpunim me një grup ekspertësh, PS ka një plan afatgjatë për një rimëkëmbje të bujqësisë, pasi janë evidentuar problematikat.

ARISTIR LUMEZI

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›