Vangjeli, miqësore me Boka Xhunjors
Kristi Vangjeli vazhdon përgatitjet për sezonin e ri me Arisin e Selanikut. Skuadra helene do të luajë sot në stadiumin "Kleanthis Vikelidis", një miqësore luksi me argjentinasit e Boka Xhunjors. Mbrojtësi shqiptar pritet të aktivizohet sërish si titullar në sfidën përballë gjigantëve të Amerikës Latine, ku luan fantazisti Huan Roman Rikelme, por edhe shumë yje të tjerë argjentinas dhe drejtohen nga trajneri i mirënjohur Alfio Basile. Ndërkohë, pak ditë më parë, Vangjeli ishte njëri prej protagonistëve të Arisit në fitoren 3-2 që grekët arritën përballë azerbajxhanasve të Khazar Lankaran. Në të 52-ën, 23-vjeçari shënoi golin e avantazhit të përkohshëm 2-0, ndërsa e gjithë ndeshja përfundoi me fitoren 3-2 të selanikasve. Menjëherë pas rinovimit të kontratës me Aris, mbrojtësi kuqezi shihet si një prej pikave të forta të skuadrës së Mazinjos.