E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Bomba" e Fabregas: Arsenali, impotent

Bashkëjetesa e lumtur e Çesk Fabregas me Arsenalin duket se po shkon drejt fundit. Deklaratat më të fundit të mesfushorit rrezikojnë të shkaktojnë shumë pakënaqësi te drejtuesit brenda skuadrës, por edhe mes tifozëve. "Familja ime katalane është tifoze e Barçës, por ata do të më kuptonin nëse do të zgjidhja të luaja me Realin", ishin fjalët e kapitenit të "topçinjve". Në kolonat e "The Sun", ai shkon edhe më tej: "Kristiano Ronaldo u largua nga Mançesteri sepse nuk i kishte mbetur më asgjë tjetër për të fituar. Unë kam një problem komplet të kundërt me të: prej katër vitesh nuk arrij të fitoj asgjë me Arsenalin". Pas kësaj deklarate, tabloidi britanik për titullin "Impotentë", duke iu referuar skuadrës së drejtuar nga Arsen Venger.

Rrëfimi i lojtarit të përfaqësueses iberike është i sinqertë dhe plot detaje: "Ajo që më shqetëson më shumë është mungesa e trofeve. Këtë vit tentuam, luftuam, por ishte e pamundur të paraqiteshim në nivelet që të gjithë presin prej një klubi si Arsenali". Ishte pikërisht kjo fraza nga e cila "The Sun" nxori konceptin se Venger ka në dispozicion një skuadër "impotente". "Kur fiton, ndihesh mirë, ndërsa kur rezultatet nuk vijnë, të gjithë janë në humor të keq. Pas katër vjetësh na duhet një sukses për të rifituar besimin te potenciali ynë". Më tej Fabregas, i cili u largua nga Barcelona dhe Spanja në moshën 16-vjeçare, analizon aventurën në Premiership: "Do të luaj sezonin tim të shtatë në Angli. Një periudhë e gjatë për një lojtar që është vetëm 22 vjeç. Shoh që koha po fluturon".

Barcelona dhe Reali i Madridit janë shfaqur të interesuara për shërbimet e Fabregas. Por, në "Kamp Nou" nuk janë të gatshëm të paguajnë 45 milionë euro për t‘ia rrëmbyer Arsenalit. Një shifër e tillë mund të përballohet vetëm nga fondet e Florentino Perez. "Natyrisht që familja ime do të më kuptojë nëse firmos për Realin: ata më duan, kërkojnë që të jem i lumtur dhe të ndihem sa më mirë, shtoi lojtari. Ata do të më mbështesnin në çdo vendim që do të merrja për karrierën time, pavarësisht rrugës të cilën do të ndjek. Familja është shumë e rëndësishme për mua dhe ata më kanë qëndruar pranë".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›