Xhani: Jemi në merkato, shumë lojtarë mund të ikin e të vijnë
Largimi i trajnerit Shpëtim Duro, që u zyrtarizua sot në krye të stolit të Besës dhe i kapitenit Orges Shehi nuk e kanë shqetësuar presidentin e Partizanit, Albert Xhani. Kjo pavarësisht faktit se zgjedhja e dy figurave kryesore në skuadër mund të jenë katalizatori i "eksodit" edhe për pjesën tjetër të futbollistëve. Drejtuesi i klubit të kuq pohon se në merkato mund të ndodhë gjithçka dhe largimet shoqërohen me afrime. "Dua të theksoj se e respektoj zgjedhjen e trajnerit Duro dhe të portierit Shehi dhe i falënderoj për atë që kanë dhënë për Partizanin. Në fakt, falënderime meritojnë të gjithë lojtarët e tjerë që luajtën me ngjyrat e skuadrës tonë", deklaroi Xhani. "Na larguan padrejtësisht nga Kategoria Superiore dhe për këtë jemi të bindur. Të gjithë ata që ishin pjesë e skuadrës gjatë sezonit të kaluar do të paguhen. Këtu përfshij edhe Duron, Shehin apo edhe të tjerët që mund të largohen. Jemi në merkaton e verës, mund të ketë shumë largime futbollistësh, të cilët do të zëvendësohen nga lojtarë që do të blihen. E njëjta gjë vlen edhe për çështjen e trajnerit". Nga Kavaja vijnë sinjale se pas trajnerit Duro dhe "gardianit" Shehi do të synohet edhe afrimi i disa lojtarëve të tjerë të "demave". Kjo në një kohë kur elementë si Karabeci, Maho, Karapici, Bakalli e Pinari kanë vendosur të presin, për të parë se çfarë do të ndodhë në ditët në vazhdim. Sërish i pashqetësuar edhe nga këta zëra, kreu i skuadrës që ka më shumë tifozë në Shqipëri vazhdon: "Lëvizjet e lojtarëve gjatë merkatos janë të natyrshme. Gjithsesi, unë po punoj për të ndërtuar një ekip të denjë për Superioren. Të gjithë do ta shohin Partizanin në ditën e parë të kampionatit, në atë periudhë do të jemi gati për konkurrim".
Ndërkohë, drejtori teknik, Bejkush Birçe, vazhdon ta akuzojë Xhanin si përgjegjësin kryesor për rënien e skuadrës nga kategoria dhe situatën kaotike të krijuar në klub. "E gjithë kjo që po ndodh me Partizanin është përgjegjësia e Xhanit. Pavarësisht investimeve, këto dështime i faturohen pikërisht atij. Kjo skuadër me histori nuk mund të mbahet peng nga një person. Ai e ka shkatërruar dhe përbaltur këtë emër të madh dhe ka ardhur koha që ai të largohet", pohoi Birçe. "Nuk do ta lëmë më skuadrën në dorën e Xhanit. U kam bërë thirrje tifozëve t‘i qëndrojnë pranë skuadrës dhe kërkova hapjen e një llogarie bankare, që dashamirësit të kontribuojnë financiarisht. Shpresojmë që më 1 korrik të fillojë grumbullimi".