E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maks Mosli: Nuk do të më marrë malli për Formula 1

Pas "KO"-së në konfliktin me FOTA-n, në tetor Maks Mosli do të largohet nga detyra e presidentit të FIA-s, por ai nuk ndjen keqardhje për lamtumirën. 69-vjeçari pohoi: "Formula 1 nuk do të më mungojë dhe jam i kënaqur për punën e bërë". Më tej Mosli rrëfen vitet e vështira të mandatit të tij dhe i jep këshilla pasardhësit: "Ulja e aerodinamikës do të garantonte parakalime dhe spektakël".

Zoti Mosli, çfarë do të bëni në këto pak muaj që ju kanë mbetur në detyrën e presidentit? A do të merrni ndonjë vendim?

Nuk duhet të marr asnjë vendim, sepse e ardhmja është e përcaktuar. Kjo që ndodhi është një lehtësim i madh, pasi që prej muajit maj kisha vendosur të largohesha. Që prej verës 2007, me skandalin "Spy Story" të vitit të kaluar, problemet personale (pamjet filmike të orgjisë me disa prostituta), kriza ekonomike që solli kufizimin e shpenzimeve në sezonin aktual, kam punuar vazhdimisht. Nuk kisha kohë të qetësohesha. Pra, jam i lumtur. Në anën tjetër nuk mund të them se jam i kënaqur për atë që ndodhi, por mendoj se gjetëm një kompromis të arsyeshëm. Objektivi im ishte reduktimi i kostove dhe më duhet të them se që prej fillimit, Montexemolo e kuptoi logjikën e këtij arsyetimi.

A do t‘ju marrë malli për Formula 1?

Nuk mendoj se kjo do të ndodhë. F1 e shoh në televizor, vetëm pak herë në vit i ndjek garat nga afër. Zakonisht jam i pranishëm në Çmimin e Madh të Montekarlos, sepse makinat kalojnë poshtë shtëpisë sime. Gara e fundit ku do të marr pjesë si president i FIA-s mund të jetë ajo në Silverston. Nuk mendoj se do të paraqitem në Moncë, por ndoshta mund të flasim sërish për këtë temë pas zgjedhjeve.

Keni ndonjë këshillë për presidentin e ri?

Do t‘i jepja një këshillë teknike: të reduktojë aerodinamikën e makinave në Formula 1, sepse gara është shumë e vështirë për ata që qëndrojnë mbrapa. Kjo duhet evituar, pasi në këtë mënyrë do të kishim më shumë spektakël dhe parakalime. Gjithsesi, jam i kënaqur: pasardhësi im do të trashëgojë një F1 të shëndetshëm.

A mendoni se keni qenë kontradiktor me deklaratat e bëra gjatë këtyre ditëve të fundit?

Nuk e besoj. E kisha bërë të qartë se do të kandidoja sërish për president nëse "lufta" do të vazhdonte. Mendoj se tani mund të largohem i kënaqur.

Cila është kritika që ju ka bezdisur më shumë gjatë konfliktit me FOTA-n?

Kjo lidhet më së shumti me natyrën njerëzore. Për fat të keq, kur palët diskutojnë, mungon arsyetimi i drejtë. Pjesa më e madhe e debateve kështu bëhet. Po të ishte në dorën time, do të përballeshim me problemet në mënyrë më të thjeshtë, të shpejtë dhe të qartë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›