E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bulqizë, vëllezërit e kryebashkiakut dhunojnë dy kushërinjtë Duriçi

 

BULQIZE - Tre vëllezërit e kryebashkiakut të Bulqizës, Roland Keta, dhunojnë dy kushërinj. Ngjarja ndodhi të dielën, në qytetin e Bulqizës, duke bërë që Femi e Artan Duriçi të përfundojnë në spital nga plagët. Pas denoncimit, prokuroria nisi hetimet, ndërsa gjykata vendosi masën e detyrimit të paraqitjes për Eduart Ketën, pronar i një miniere private në Bulqizë, Altin Ketën, drejtorin e shkollës së mesme dhe Elton Ketën, vëllai i vogël i kryetarit të bashkisë. Sipas kallëzimit të dy të lënduarve, vëllezërit Keta u kanë zënë pritë atyre në sheshin “Minatori”, ne qendër të qytetit. Duriçët pohuan se vetë kryebashkiaku u ka zënë rrugën me makinë, më pas vëllezërit e tij me sende të forta kanë zbritur duke i goditur derisa i kanë rrëzuar përdhe. Mësohet se dhunimi i dy kushërinjve erdhi pas një incidenti të ndodhur me Altin Ketën një ditë para tij. Ndërsa lëvizte në gjendje të dehur ai ishte fyer e goditur. Për këtë, Keta dyshoi te Duriçajt, duke planifikuar dhe sulmin e dhunshëm ndaj tyre. Policia arriti vetëm të shoqëronte tre vëllezërit, të cilët po ndiqen penalisht në gjendje të lirë. Përballë akuzës se ishte prezent në dhunimin e të rinjve, kryebashkiaku Roland Keta pohoi se nuk ishte i pranishëm, ndërsa për vëllezërit deklaroi se kanë qenë të dehur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›