E Diel, 1 Nëntor 2026

Rifreskimi i lejeve të qëndrimit, tani çdo 40 ditë

 

TIRANE - Të gjithë shtetasit e huaj që punojnë në vendin tonë dhe ushtrojnë aktivitete të ndryshme, duhet të rinovojnë lejet e qëndrimit, pasi afatet kanë ndryshuar, në të kundërt do të largohen nga Shqipëria. Vendimi është marrë nga Departamenti i Kufirit dhe Migracionit në Drejtorinë e Përgjithshme të policisë. Në një kohë që vitin e kaluar një leje qëndrimi rinovohej një herë në 3 muaj, tashmë një veprim i tillë duhet të bëhet për çdo 40 ditë. Në rast se rinovimi nuk bëhet për brenda afatit të paracaktuar do të ketë penalitete, që nga procedimi penal, e deri tek mbyllja e aktivitetit dhe largimi nga Shqipëria. Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit njofton të gjithë shtetasit e huaj që ushtrojnë aktivitete të ndryshme në Shqipëri, se kanë ndryshuar afatet e qëndrimit dhe aplikimet për rinovimin e tyre duhet të nisin sa më shpejt, para se të skadojnë. Në të gjitha drejtoritë e qarqeve janë afishuar njoftimet që shpjegojnë procedurat dhe kohëzgjatjen e qëndrimit në vendin tonë, si dhe mënyrën se si duhet të plotësohet formulari për lejet e qëndrimit. Sipas burimeve nga policia, mësohet se që nga fillimi i vitit e deri tani kanë aplikuar për rinovim të lejes së qëndrimit rreth 700 shtetas të huaj, të cilët pritet të marrin lejen, ndërkohë që vazhdojnë aplikime të tjera.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›