E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apeli zhbllokon pronat e Fazlliç

 

Armand Bajrami

Gjykata e Apelit në Tiranë rikonfirmon heqjen e sekuestros nga pronat e biznesmenit Damir Fazlliç, 33-vjeçarit boshnjak që po hetohet për “pastrim parash” në Shqipëri. “Triumfi” i dytë i biznesmenit ndaj Prokurorisë së Tiranës erdhi pas vendimit të dhënë nga Gjykata e Apelit të kryeqytetit, ditën e premte më 17 prill 2009. Në një seancë të zhvilluar në orët e pasdrekes, Apeli la në fuqi vendimin e dhënë nga gjykata e shkallës së Parë më 31 dhjetor të vitit 2008. Sipas këtij vendimi, biznesmeni në hetim nga drejtësia shqiptare “çlirohet” nga çdo masë sekuestroje e marrë nga Prokuroria për pasuritë e tij në vendin tonë. Ndërkohë që pak ditë para shpalljes së vendimit të Apelit, biznesmeni boshnjak depozitoi në Gjykatën e Tiranës një kërkesë ku kërkonte kundërshtimin e vendimit të prokurorisë për zgjatjen e afateve ndaj tij.
VENDIMI
Në minutat e fundit të orarit zyrtar, ditën e premte, togat e zeza të Apelit shpallën lënien në fuqi të vendimit të dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë, në lidhje me sekuestrimin e kompanive të biznesmenit Damir Fazlliç. Seanca larg vëmendjes mediatike, kjo edhe për shkak të “barriere” jozyrtare të krijuar nga kjo gjykatë me median, kryesohej nga gjyqtari Alaudin Malaj, ndërsa anëtarë të treshes gjykuese ishin edhe gjyqtarët Zeqine Sollaku dhe Fatos Qato. Burime pranë kësaj gjykate thanë se vendimi është argumentuar me faktin se sekuestroja është vendosur në bazë të një ligji që ka hyrë në fuqi në vitin 2008. Ndërsa vepra penale në të cilën Prokuroria po heton përfshirjen e biznesmenit Fazlliç, dyshohet të ketë ndodhur në vitin 2007. Vendimi i së premtes rikonfirmoi qëndrimin e Shkallës së Parë, vendimi i të cilës është firmosur nga gjyqtari Atran Broci, më 31 dhjetor 2008. Ky vendim i shkallës së parë të gjyqësorit urdhëronte heqjen e sekuestros së vënë nga organi i akuzës, për shoqërinë “Crown Acquisitions” dhe “Alfa” sh.a. Bllokimi i pronave të biznesmenit u bë me kërkesë të prokurorisë pas dyshimeve se Fazlliç mund të ketë kryer pastrim parash në Shqipëri. Dyshimet e organit të akuzës i referohen blerjes së sipërfaqeve të mëdha të tokës Durrës, me vlera që arrinin në miliona euro, ndërkohë që kapitali fillestar i shoqërive të Fazlliç ishte 1 mijë euro. Pak ditë më parë, Damir Fazlliç, paditi Prokurorinë e kryeqytetit për zgjatjen e afateve të hetimeve në dosjen e tij. Sipas avokatëve të biznesmenit, pasi kishte përfunduar 3 muaj shtyrje nga koha ligjore e përfundimit të hetimeve, prokuroria vendosi një shtyrje të dytë. Organi i akuzës e justifikon zgjatjen 1-mujore të hetimeve, me faktin se ende nuk disponon përgjigje të letërporosive të dërguara prej saj në Zvicër, Qipro, Kroaci, Angli dhe Bosnjë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›