E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bomba e Prandelit: A shërben të bojkotojmë Euro 2012?!

Nëse na thonë se për të mirën e futbollit kombëtarja nuk duhet të shkojë në Evropian, për ne nuk do të ishte problem. Ky është reagimi i ashpër i trajnerit të përfaqësueses italiane, Çezare Prandeli, një ditë pas publikimit të lajmit se edhe kapiteni i përfaqësueses, Xhixhi Bufon, është nën hetim pasi dyshohet se ka vënë baste në ndeshje futbolli.
Kundër kryqëzatave
Unë personalisht jam kundër kryqëzatave. Ka gjëra të cilat i vlerësoj si më të rëndësishme. Nuk më pëlqejnë kryqëzatat, më pëlqejnë përballjet dhe jo zgjedhja e një pozicioni pa menduar për pasojat. Do të doja të flisja vetëm për futboll, por kjo që po ndodh na imponon diçka ndryshe. Më tej ai deklaroi se përsa i përket lojtarëve, vazhdojmë të themi se ata që janë të përfshirë nuk do të marrin pjesë në Evropian. Pastaj po deshët të krijojmë kryqëzata, le ti bëjmë. Gjendja shpirtërore e Bufon? Ai është një person mjaft i fortë, ka një personalitet të madh. Por pavarësisht kësaj, edhe te një person si ai mund të peshojë një moment i vështirë si ky, ishte reagimi i trajnerit të Italisë.
Iniesta: Europiani, më i vështirë se Botërori
Andres Iniesta, mesfushori i kombëtares spanjolle, paralajmëroi se EURO 2012 do të jetë më i vështirë për tu fituar se sa kampionati botëror i vitit 2010 ku iberikët u shpallën kampionë. Ky turne do të jetë më i vështirë se Botërori i Afrikës së Jugut, por ne jemi të përgatitur për të arritur një tjetër sukses, theksoi Iniesta për mediat spanjolle në ditën e tij të parë të grumbullimit me kombëtaren. Futbollisti që shënoi golin e fitores në finalen e madhe ndaj Hollandës në vitin 2010 shpjegoi se kujtimet janë të bukura, por ai është i përqendruar tek e tashmja: Shoh të tashmen dhe atë që na pret. Nuk mendoj për golat e mi, por dua që skuadra të luajë mirë dhe të shfrytëzojë mundësitë për fitore. Ndërsa Cesc Fabregas, i cili vuan nga një dëmtim në kofshën e këmbës së djathtë, do të jetë i gatshëm për ndeshjen ndaj Italisë në EURO 2012.

EURO 2012, Anglia humbet Lampard
Federata Angleze e Futbollit (FA) ka njoftuar me anë të një komunikate për shtyp se Frank Lampard do të humbasë kampionatin europian të futbollit si pasojë e një dëmtimi që pësoi të mërkurën gjatë një seance stërvitore. Gjithmonë sipas FA-së, Jordan Henderson i Liverpool do të jetë zëvendësuesi i mesfushorit të Chelsea në skuadrën përfaqësuese. Është një goditje e rëndë për ekipin duke marrë parasysh se na mungon edhe një tjetër mesfushor i rëndësishëm si Gareth Barry. Mjeku nuk na siguronte dot që Lampard mund të rekuperohej për ndeshjet e grupit kështu që u detyruam ta zëvendësonim me një tjetër mesfushor, theksoi trajneri i Anglisë, Roy Hodgson. Më vjen shumë keq edhe për Lampard sepse ishte në formë shumë të mirë dhe i ka dhënë shumë kombëtares gjatë fazës kualifikuese për në EURO 2012 dhe është mëkat që nuk mund të jetë pjesë e turneut, shtoi tekniku veteran anglez për 33-vjeçarin i cili u dëmtua në kofshë.

Dëmtimi i Shnajder, Holanda e qetë
Pas frikës së momenteve të para, në radhët e përfaqësueses holandeze mbizotëron qetësia dhe optimizmi. Gjendja e fantazistit Uesli Sneijder, i cili është edhe një prej pikave të forta të skuadrës, duket e mirë. Numri 10 i Interit u detyrua të largohej nga fusha në minutën e 52-të, në miqësoren që Holanda fitoi 2-0 me Sllovakinë, pas një ndërhyrje të ashpër të kundërshtarit. Por, edhe pse fillimisht u mendua më e keqja dhe të gjithë i trembeshin faktit se Sneijder mund të humbiste Euro 2012, trajneri Bert van Marvijk ka qetësuar ambientin, duke konfirmuar se pritet që lojtari të rikuperohet brenda një kohe të shkurtër. Sinjalet pozitive kanë ardhur edhe nga vetë Sneijder, që për mediat holandeze ka deklaruar se portokallinjtë synojnë suksesin europian. Me ndryshimet që trajneri Van Marvijk ka bërë në stilin tonë të lojës kanë qenë mjaft të suksesshme dhe këtë e treguam në Botërorin 2010. Tashmë synojmë minimalisht që të jemi në finalen e Euro 2012, e madje të arrijmë një rezultat edhe më të mirë, duke e fituar aktivitetin, tha mesfushori.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›