Lëv: Gjermania, Holanda dhe Spanja, favorite!
Humbja e pësuar në fundjavën e shkuar, shumë e rëndë, kundër Zvicrës në miqësore, me shumë mundësi ka sjellë tensione të mëdha në shtëpinë e Gjermanisë. Një skuadër kombëtare që në këto vitet e fundit ka arritur gjithmonë një hap larg nga suksesi në Botëror ashtu edhe në Europian, por që gjithmonë është ndalur një hap larg Kupës. Siç ka ndodhur në Europianin e fundit, nëse kujtojmë ku gjermanët janë mundur në finale nga Spanja, ose në Botërorin e Afrikës së Jugut me skuadrën e Lëv, që është mundur përsëri nga ‘Demat e Kuq’ në gjysëm finale përsëri me rezultatin 1-0. Por nëse dëshirojmë të kthehemi pak mbrapa në kohë, mjaftojmë të shikojmë Botërorin 2006 me gjermanët që janë eliminuar në gjysëm finale nga Italia, që më pas është shpallur kampione bote. Katër vite më parë, në Botërorin japonezo-korean, gjermanët janë kaluar në finale nga Brazili, në të cilin luante akoma Ronaldo. Dhe atëherë, nëse dëshirohet të kërkohet një dështim te skuadra gjermane duhet të shkojmë në Euro 2004 në Portugali, me atë skuadër që është renditur e treta në Grupin D mbrapa Republikës çeke dhe Holandës. Humbja e pësuar në fundjavën e shkuar me skuadrën e Zvicrës ka sjellë mbase drithërima te gjermanët dhe ka rikujtuar mbase kohë të vjetra që me shumë mundësi nuk duhet të ishin kujtuar.
Tensioni
Sigurisht, që tensioni në stërvitje në këto ditë stërvitjeje është shumë i lartë dhe gjatë stërvitjes së fundit ka pasur një zënkë ndërmjet Thomas Myler dhe Holger Badshtuber, për shkak të një ndërhyrjeje shumë energjike nga sulmuesi. Të dy lojtarët pothuajse janë kapur me duar, me Mario Gomez që ka ndërhyrë për të ftohur gjakrat. Një gjë që sigurisht lë të kuptosh shumë gjëra është fakti se të tre lojtarët i përkasin të njëjtës shoqëri, Bajern Mynihut.
Dështimi, i ndaluar
Ndërkohë, trajneri i kombëtares gjermane, Johakim Lëv ka dashur të flasë për momentin që është duke kaluar skuadra e tij, por edhe sigurisht, për ato që janë pritshmëritë në lidhje me ta: “Për ne është e ndaluar të dështojmë në Kampionatin Europian, gjithsesi dyshoj se mund të bëjmë ndonjë figurë të keqe, duke parë që skuadra në kohët e fundit është rritur jashtëzakonisht shumë. Sipas meje jemi favoritët së bashku me Holandën dhe Spanjën, nuk shikoj ndërkohë në podium Francën, Anglinë dhe Italinë”.
Gjermania fiton por nuk bind
Trajneri i përfaqësueses gjermane të futbollit, Joakim Lëv, pranoi se skuadra e tij ka nevojë për shumë përmirësime pasi kjo e fundit kishte vështirësi të mundte Izraelin në ndeshjen e fundit përgatitore para fillimit të Euro 2012. Një gol i pjesës së parë nga Mario Gomez i dha avantazhin Gjermanisë në ndeshjen që luhej në Lajpcig. Ndërsa Andre Shurle u aktivizua si zëvendësues në pjesën e dytë dhe shënoi golin e dytë kur kishin mbetur vetëm 8 minuta deri në përfundimin e ndeshjes, për ti dhënë suksesin 2-0 skuadrës së tij. Më këtë fitore, Gjermania evitoi humbjen e tretë radhazi në këtë sezon, pasi është mundur më parë nga Franca dhe Zvicra në miqësoret e këtij vitit, por sipas Lëv ajo ka nevojë për shumë përmirësime. Jo gjithçka shkoi siç duhej, por është gjë e mirë që shkojmë në turne me një fitore. Ne kemi nevojë të përmirësojmë finalizimin e rasteve që krijojmë dhe organizimin e lojës, ndonëse këtë radhë shfaqëm lojë më të mirë, tha ai. Lajmi i mirë për Gjermaninë është ai i kthimit në formë të mirë fizike të Bastian Shvajnshtajger i cili në këtë ndeshje nuk u aktivizua. Bastian nuk ndjen më dhimbje që të mërkurën, por e lamë pushim për të mos rrezikuar. Tani ai do të fillojë përsëri vrapimet dhe do të stërvitet me skuadrën të martën, deklaroi Lëv, duke bërë të qartë se lojtari pritet të jetë në fushë në ndeshjen e parë kundër Portugalisë.