Bomba në Algjer, gjunjëzohet qyteti
Terrorizmi godet sërish në Algjeri. Në kryeqytetin Algjer, dy autobomba kanë shpërthyer në harkun kohor të 10 minutave, duke i marrë jetën dhjetëra e dhjetëra personave. Të vdekurit, sipas zyrtarëve, mund të jenë 52, por bilanci mund të rëndohet akoma më shumë. Sipas agjencisë së lajmeve AFP, viktimat janë 67. Të plagosurit, në anën tjetër, janë më shumë se 43, por numri i saktë nuk është ende i ditur. Mes viktimave janë edhe dhjetë funksionarë të Kombeve të Bashkuara, me shtetësi algjeriane. Pjesa më e madhe e viktimave janë të rinj, studentë universiteti të moshës 18-25 vjeç, por në spitale mbërrijnë edhe shumë fëmijë: kjo është bërë e ditur nga burime mjekësore për një agjenci vendase lajmesh. Mes të plagosurve, thuhet se janë edhe shumë të huaj. Bomba e parë ka shpërthyer në një autobus shkolle, duke e shkatërruar plotësisht atë. Mjeti po kalonte para Gjykatës Supreme në Algjer, në zonën universitare të Ben Aknoun, në pjesën e sipërme të kryeqytetit. Nga vendi i atentatit ngrihej ndërkohë një re e madhe tymi të zi. Zona është rrethuar menjëherë nga një kordon agjentësh të sigurisë dhe rrugët e hyrjes në lagje janë mbyllur. Shpërthimi i dytë ka goditur një nga zyrat e përfaqësisë së UNHCR-së, Komisariatit të Lartë për Refugjatët të Kombeve të Bashkuara, në zonën rezidenciale të Hidras që gjendet pranë Ben Aknoun, ku ka ndodhur edhe shpërthimi i parë. Një zëdhënës i UNHCR-së në Gjenevë, ka bërë të ditur se ka pasur disa viktima në zyra. Të paktën dhjetë, sipas CNN. "Dhjetë kolegë, të gjithë algjerianë, kanë humbur jetën në atentat. Ishin në pjesën më të madhe punonjës të UNDP (Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara)", ka thënë një tjetër zyrtar i lartë i Kombeve të Bashkuara në Algjeri. Viktimat e tjera ishin punonjës të UNHCR-së, selia e së cilës është ngjitur me atë të UNDP-së. Një zëdhënës i OKB-së në Nju-Jork ka thënë se zyra më e dëmtuar është ajo e UNDP-së. Në afërsi të selisë së OKB-së, ku sipas disa dëshmitarëve ka shpërthyer një kamion-bombë, i drejtuar nga një kamikaz, gjendej edhe një komisariat policie. Imazhet në televizion tregonin një krater të madh dhe një zyrë të dëmtuar rëndë nga njëra anë, çka lë të kuptohet fuqia e mjetit shpërthyes. Hidra është një nga zonat më ekskluzive të kryeqytetit dhe atje banojnë edhe një numër i madh qytetarësh të huaj, por edhe eksponentë politikë lokalë. Zonat e sulmeve janë izoluar nga pjesa tjetër e qytetit me kordonë policie dhe postblloqe. Fuqia e shpërthimit ka qenë e tillë sa që janë shkaktuar probleme në një pjesë të shërbimeve jetësore. Qyteti me 3 milionë banorë ka mbetur praktikisht i izoluar, pasi komunikacioni, veçanërisht ai telefonik, është ndërprerë. Ministri i Brendshëm ka konfirmuar ndërkohë se të dyja atentatet janë shkaktuar nga dy autobomba dhe të paktën njëra prej tyre ka qenë e drejtuar nga një kamikaz. Ende askush nuk i ka marrë përsipër sulmet, por kohët e fundit "Al Kaeda" ka kërcënuar se do të godasë vendin afrikano-verior. Ndërkohë, OKB-ja ka qenë në shënjestër të terrorizmit islamik edhe më parë. Më 19 gusht 2003, një kamion i mbushur me eksploziv hodhi në erë Shtabin Qendror të Kombeve të Bashkuara në Bagdad, duke vrarë edhe Sergio Vieira de Mello, përfaqësuesin special në Irak. Veç tij, kishin humbur jetën edhe 21 persona. Përfaqësuesi i lartë i Kombeve të Bashkuara për refugjatët, është shprehur shumë i shokuar për shkak të sulmeve të sotme. "Ka dëme dhe viktima, por nuk kemi ende detaje", ka thënë zëdhënësja, Xhenifer Pagonis. Sulmi ndërkohë është dënuar nga një mori zërash ndërkombëtarë. Që nga viti 1992, Algjeria është përgjakur nga lufta civile, pasi ushtarakët rimorën pushtetin në Kuvend, duke mundur Partinë Islamike, që ishte kandidate për fitore. Në 15 vite dhunë kanë humbur jetën më shumë se 200 mijë persona. Vitet e fundit dhuna me motive politike është zbutur disi, por mbetet një grup prej rreth 500 rebelësh, që nuk tërhiqen dhe veprojnë në emër të një grupi pro "Al Kaedës", "Magrebi Islamik"