"I përzgjedhuri" i Putinit kthen favorin: Të udhëheqim së bashku
Njeriu të cilin Vladimir Putin e rekomandoi dy ditë më parë si pasuesin e mundshëm të tij pas skadimit të mandatit në mars të vitit të ardhshëm, i ka kthyer favorin. Dje, Dimitri Medvedev ka deklaruar se Vladimir Putin duhej të ishte Kryeministri i ardhshëm i vendit. Në fjalimin e parë të rëndësishëm të tij, që pasi u shpall si i përzgjedhuri i Putinit, të hënën, Medvedev tha se ai do të donte që Putin të bëhej Kryeministër pas zgjedhjeve presidenciale të 2 marsit. Një lëvizje e tillë do të jepte edhe një përgjigje për pyetjen se si Putin mund të ruajë rolin e tij si udhëheqës në Rusi, pas marsit të ardhshëm, kur sipas Kushtetutës së vendit ai duhet të tërhiqet nga detyra e Presidentit pas përfundimit të dy mandateve radhazi. Në fakt, skema e udhëheqjes së ardhshme të Rusisë filloi të qartësohej disi të hënën, kur pas disa javësh spekulime, Putin papritmazi deklaroi se ai mbështeste Medvedev, "të preferuarin" e tij, për ta pasuar në postin e Presidentit. Edhe pse një zgjedhje surprizë pa një të shkuar në KGB, Medvedev, ka kaluar pjesën më të madhe të tij si një bashkëpunëtor dhe mik besnik i Putinit dhe analistët thonë se ai pritet të influencohet shumë nga paraardhësi i tij. Me Vladimir Putinin, një figurë shumë të fuqishme brenda Rusisë, i sapodalë nga një fitore e madhe në zgjedhjet parlamentare si shefi i Partisë Rusia e Bashkuar, figura që ai nominon për President është pothuajse e sigurt se do të fitojë në zgjedhje. Në një fjalim në televizion, të mbajtur dje, Medvedev theksoi: "Pasi kam shfaqur gatishmërinë time për të kandiduar për postin e Presidentit të Rusisë, unë i kërkoj zotit Putin të japë pëlqimin e tij për të kryesuar qeverinë ruse, pas zgjedhjes së Presidentit të ri të vendit tonë". Duke konfirmuar se ai ka në plan të ndjekë "mësimet" politike të Putinit, Medvedev tha gjithashtu se pas zgjedhjeve, vendi duhej të vazhdonte me politikat e këtyre tetë viteve të fundit. Ndërkohë, korrespondentët në Moskë thonë se mbështetja e ndërsjellët me siguri do të vërë në pikëpyetje faktin nëse Medvedev do të ishte një President i pavarur apo një marionetë, fijet e të cilit i tërheq Putini. "Duket sikur ata po ngrenë një ekip pune", thonë ata, duke theksuar se Kryeministri aktual, Viktor Zubkov, thjeshtë është zgjedhur në këtë post për të fituar kohë. Në fjalimin e djeshëm, Medvedev u duk sikur braktisi retorikat jo shumë pikante për të cilat ai ka qenë i njohur në të shkuarën dhe premtoi fuqizimin e ushtrisë ruse, rritje të ekonomisë dhe diplomacisë. "Qëndrimi i botës kundrejt Rusisë ka ndryshuar. Ata nuk mbajnë më leksione para nesh, si para nxënësve të shkollave. Ata na respektojnë dhe konkurrojnë me ne. Rusia është kthyer në pozicionin e saj dominues në familjen e Kombeve", tha Medvedev. Ai gjithashtu u thuri lavde përpjekjeve të Presidentit Putin për të ringritur forcat e armatosura të vendit pas shumë vitesh neglizhence dhe degradimi që pasuan rënien e Bashkimit Sovjetik. "Mbrojtja jonë ushtarake dhe siguria janë përmirësuar dukshëm", tha Medvedev. Pavarësisht nga këto tone të prera për sa i takon fuqizimit të ushtrisë, Medvedev nuk konsiderohet si një ndjekës i linjës së ashpër të Kremlinit, ndryshe nga shumë persona të tjerë që kanë dëshiruar mbështetjen e Putinit, ndër të cilët Sergei Ivanov, që ashtu si Medvedev, mban pozicionin e zëvendëskryeministrit rus.