E Shtunë, 31 Tetor 2026

Oooo, çfarë krimi, çfarë turpi!

Share

Nga Dedë Shkurti

Tema, dt., 06.04.2012: Tiranë, e godet makina, gjen vdekjen fëmija 5 vjeç.

Balkan Web, dt.06.04.2012: Lushnje, furgoni përplas 3 fëmijë, po shkonin në shkollë.

ABC News, ora 12.00 A.M: Aksident në Fushë Krujë-Milot, vdes polici i burgut.

Kjo është masakra rrugore e radhës, vetëm në gjysmën e parë të ditës me 06 prill 2012. E premte e zezë, pikërisht në një të premte si kjo, Pons Pilati lau duart dhe Krishti u vu në kryq.

Afro dy muaj më parë, Pilatët e Kuvendit të Shqipërisë lanë duart me një palo Kod Rrugor për ti hedhur hi syve Bashkimit Europian se po miratojnë me konsensus ligjet me tre të pestat, për ti hapur rrugë vendit për të filluar bisedimet për statusin e vendit kandidat për në Europën Komunitare.

A ekziston vallë ndonjë lidership i çmendur Europe që të na pranojë në këtë farë gjendjeje që jemi katandisur? Vazhdoj të besoj si i verbër se, si unë janë shumica e qytetarëve të këtij vendi që janë të shokuar nga kjo zezonë që spo na ndahet për më shumë se dy dekada. Së bashku me ta do të prisja një lajm, apo të paktën një gjest që, me sa duket, nuk do të vijë kurrë:

Kuvendi u mblodh në një seancë të jashtëzakonshme plenare dhe e shpalli Të Shtunën e Madhe, ditën e varrimit të viktimave të Kodit të tyre Rrugor si ditë zie. Të dilte Ministri i Brendshëm, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Kryekontrollori i Policisë Rrugore dhe të jepnin dorëheqjen , ndoshta dhe të vetëdorëzoheshin në Prokurori. Shteti shqiptar ka falimentuar, trafiku rrugor eshtë në anarki të plotë.

Jozefinës, i rrofshin fjalët e bukura për të ndriturën Esmeralda, kurbani i radhës, i pafajshëm në kasaphanat rrugore, me shiritat e prerë në sezonet respektive elektorale. Si sot , katërmbëdhjetë vite më parë, në kulmin e një tragjedie familjare, objekt i një aksidenti automobilistik, me lot dhe gjak përzier kam shkruar këtë vjershë:

E SHTUNA E MADHE NE SHQIPËRI

Kryqet dhe gozhdët janë gati/Barabat, të gjithë në amnisti/Dorezat ka veshur Pilati/Mariet janë veshur në zi.

Një zë Kallashi turmat i mbledh/Apostuj të rremë në foltore/Golgotë është çdo brinjë, çdo ledh/Kalvarët, diçka monotone.

Në kryq, në kryq!, – thërret turma/Barabat fytyrat me maska/Apostujt kërkojnë mandate në tribuna/Të shtunën e Pashkëve.

Jezusi, sot është i vdekur/Prapë nesër sdo të ketë Ringjallje/E tmerrshme/Ditënata shqiptare kangecur/Në një Të Shtunë të Madhe!

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›