E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përse Kuqezinjtë ndihmojnë opozitën!

Share

Nga Mero Baze

Kohët e fundit dy forcat kryesore politike, socialistët dhe demokratët, po përpiqen të bëjnë llogari fantazmë mbi faktin se kujt do ti marrin vota dy forcat e reja politike që po dalin në skenë, Aleanca Kuq e Zi, e cila e ka marrë me shumë vrull startin e saj elektoral, dhe partia e zotit Topi, që e ka marrë më shtruar punën. Debati në të vërtetë është më shumë i fokusuar tek Aleanca Kuq e Zi, pasi partia e zotit Topi shihet gjerësisht si një parti që do të marrë votat e së djathtës së mërzitur me Berishën. Diferenca mes Bamir Topit dhe Kreshnik Spahiut është se Bamir Topi mund të bëjë koalicion pas zgjedhjeve dhe me Partinë Demokratike, por natyrisht jo me Berishën kryeministër, ndërsa Kreshnik Spahiu, i cili ka hyrë në një spirale shumë më armiqësore me Berishën, mund të diskutojë vetëm për kushtet që mund ti vendosë së majtës nëse arrin të faktorizohet nga zgjedhjet, por kurrsesi për një aleancë me koalicionin e Berishës. Ndryshe nga Aleanca Kuq e Zi, partia e zotit Topi, edhe pse po përpiqet të fokusohet tek figura të reja, është një parti e identifikuar qartë si një parti e qendrës së djathtë, që do të tentojë të marrë përveç elektoratit të mërzitur nga PD-ja dhe një shtresë gri të shoqërisë që refuzon të votojë, e zhgënjyer nga dy të mëdhenjtë.

Ndaj dhe debati kryesor po përqendrohet tek pyetja: kush janë ata që po vishen Kuq e Zi? Nga një vështrim i shpejtë, ata që mbushin sheshet apo sallat e Aleancës Kuq e Zi duket se janë të rinj pa shumë lidhje të mëparshme me politikën dhe një shtresë sociale, e cila duket se nuk ka lidhje politike me PS dhe PD. Ka mes tyre të rinj të shkolluar, të papunë, të zhgënjyer, të indoktrinuar nga nacionalizmi, por dhe të zhgënjyer ose të lodhur nga pamundësia për të depërtuar në linjat e pushtetit të Partisë Demokratike apo Partisë Socialiste. Sidoqoftë ende jemi larg një prerje të qartë që të lexojmë se kujt po ia merr bukën nga dora Aleanca Kuq e Zi, por dy gjëra janë fare të qarta. E para është toni i fortë dhe i ashpër opozitar i kësaj partie dhe e dyta është populizmi nacionalist dhe guximi për të demonstruar në sheshe.

Tipari i saj i parë, pra toni i ashpër opozitar, po ngjall gjithandej debate se Aleanca Kuq e Zi mund të marrë vota të majta kundër Berishës dhe kësisoj do të dëmtojë Partinë Socialiste. Ky është një perceptim jo realist. Ne duhet të jemi të ndërgjegjshëm se ekziston një popull opozitar përtej Partisë Socialiste, ose më mirë të themi ekziston një elektorat opozitar që pret të dëgjojë sulme të egra ndaj Berishës më shumë se sa socialistët. Nëse për 7 vite opozitë, ka ende socialistë që nuk janë të bindur të votojnë Partinë Socialiste, atëherë ata nuk do ta votojnë kurrë ndonjëherë më Partinë Socialiste në jetë të jetëve. Pra shanset që ndonjë socialist të mos votojë më për Partinë Socialiste pas 7 vitesh në opozitë, janë shumë të pakta, por nëse ato ekzistojnë, atëherë ato janë vota të pashpresa për Partinë Socialiste, ndaj është gjë e mirë që ato vota ti mbledhë dikush që rinxjerr ata nga shtëpia të votojnë kundër Berishës, por jo pro Edi Ramës. Në këtë aspekt ajo që quhet si tendencë për marrje votash opozitare nga Spahiu, në të vërtetë është vlera dhe ndihma më e madhe që kjo parti mund ti japë frontit opozitar. Lehtësia me të cilën një parti e re populiste si AK artikulohet kundër kryeministrit, dhe mungesa e komplekseve apo mosmbajtja e gojës para akuzave të rënda, krijon një frymë populizmi tek opozitarët e mërzitur me opozitën zyrtare dhe mund ti nxjerrë ata në votim. Në këtë aspekt kjo gjuhë vetëm sa pasuron opozitën dhe nuk i merr asnjë votë Partisë Socialiste. Ajo thjesht merr atë që Partia Socialiste dhe aleatët e saj të derisotëm e kanë mërzitur duke e bërë të pashpresë.

Tipari i dytë i Aleancës Kuq i Zi, që është populizmi nacionalist dhe retorika patriotike, i vlejnë asaj më shumë si lehtësi promocioni se sa aksion votambledhës. Vlera e vetme elektorale e kësaj retorike është zhveshja dhe çmitizimi i Sali Berishës si një patriot që i dhimbset çështja kombëtare apo si njeri që nuk bën kompromise me problemet kombëtare. Në këta aspekt, Aleancën Kuq e Zi e ka ndihmuar fati dhe pazaret e Berishës për tu bërë e besueshme kur thotë se demagog është Sali Berisha, por nuk është se ka lindur ende ndonjë shpresë e madhe për shqiptarizmin. Thjesht të gjithë kanë shansin të shikojnë çfarë mashtruesi është Sali Berisha kur flet për Kosovën, Çamërinë, shqiptarët në Maqedoni apo Mal të Zi, dhe komplekset e inferioritetit të tij ndaj serbëve, grekëve apo maqedonaseve.

Kjo duket se ka shqetësuar dukshëm Berishën pasi shikoj që TV Klani dhe gjithë garnitura e medies qeveritare është angazhuar të sulmojnë Aleancën Kuq e Zi, herë si parti turke, herë si parti pa rëndësi, herë si e majtë, e herë si parti e Topit. Pra duket qartë se Berisha ka një hall me këtë parti, dhe po nxiton ti krijojë një portret që të mos jetë patriotik, të mos jetë i djathtë, dhe sidomos të mos konsiderohet i rëndësishëm. Kjo tregon se Aleanca Kuq e Zi ka hyrë realisht në truallin e tij dhe përveçse po i thyen bastionet me mitingje nëpër sheshe si Kavajë, Bathore, Paskuqan, po e zhvesh atë nga populizmi që e përdor sa herë ka nevojë për vota rurale dhe retorikë patriotike. Për këtë arsye mund të thuhet pa frikë se Aleanca Kuq e Zi zgjon një opozitë, e cila ka qenë duke vdekur. Nuk di të them ende sa jetëgjatë mund tia bëjë shpresën këtij elektorati Aleanca Kuqezi, por e sigurt është se ajo zgjon vota kundër pushtetit. Vota që ndoshta do të flinin duke ia bërë jetën më të gjatë pushtetit.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›