Një lojë e shpifur me presidentin
Orges Zoto
Ditët ë fundit kam lexuar dhe dëgjuar shumë analistë të flasin për presidentin e ardhshëm të Republikës. Është shumë e natyrshme që kjo temë të jetë shumë rrahur kohët e fundit, duke pasur parasysh që vendit tonë po i afrohet koha e të pasurit një president të ri. Fakti që më habit më shumë, nuk është as sjellja e politikanëve që kërkojnë të bëjnë pazare si gjithmonë në kurriz të shqiptarëve, as zgjedhja e një presidenti nga një klan politikanësh që ka 20 vjet që na qeveris dhe nuk ka prodhuar asnjë të, as pafytyrësia e disa të tjerëve qe vetëkandidohen.
Fakti që më çudit më shumë në këtë lojë të neveritshme postesh dhe pazaresh të pista është arsyetimi dhe shkrimet e disa analistëve të cilët bëhen pjesë e këtyre lojërave në mos direkt, indirekt. Kam lexuar dhe dëgjuar se si këta matematicienë të numrave në parlament analizojnë se për kë do votojë Islami, për kë do votojë Oketa, kush do të blejë votat e PDIU, çfarë do të bëjë Saliu e çfarë do të propozojë Rama.
Por asnjë nuk ka marrë guximin që të flasë për thelbin, i cili është shumë herë më i madh se sa vetë pazari i radhës që po mundohet të gatuajnë politikanët tanë. Asnjë nuk po flet që presidenti nuk duhet ti takojë asnjë partie ai duhet ti takojë vetëm shqiptarëve. Ai duhet të përfaqësojë të gjithë, të majtë, të djathë, të qendrës, myslimanë, të krishterë, pronarë e ish-pronarë, të persekutuar, komunistë, të arsimuar e analfabet, minoritete e pakica kombëtare, të gjithë duhet jenë të përfaqësuar nga presidenti i republikës.
Përse nuk flasin këta analistë për faktin se presidenti duhet të zgjidhet nga populli nëpërmjet votës së tyre. Të gjithë thonë se ai do të zgjidhet nga përfaqësuesit tanë në parlament, por të gjithë e dimë që të pakët janë ata përfaqësues në parlament që vërtet përfaqësojnë ne, shqiptarëve. Për ta bërë zgjedhjen e tij më demokratike, për ti dhënë presidentit më kredibilitet në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare, një bashkues dhe jo një ndarës, një përfaqësues të denjë të shqiptarëve.
Një president ku një doktor i bërë kryeministër mos të guxojë kurrë ti thotë presidentit horr. Këto çmenduri e marrëzira shqiptare duhet të marrin fund një herë e përgjithmonë. Këto duhet të analizojnë analistët tanë dhe jo të bëjnë matematikë e të luajnë më gjëegjëzat e politikës. Ka ardhur koha që të zgjedhim vetë të parin e shtëpisë dhe që shqiptarët të kenë një president nga shqiptarët, të shqiptarëve dhe për shqiptarët.