E Diel, 1 Nëntor 2026

Votimi për “Tajvanin”, demokratët pro, vetëm Rama kundër Nga “Faktori Plus” Disa javë më parë kryeministri Berisha nisi një sulm verbal dhe më pas administrativ kundër njërit prej pronarëve të kompleksit “Tajvan”, i cili u vu në qendër të a

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Votimi për “Tajvanin”, demokratët pro, vetëm Rama kundër Nga “Faktori Plus”
Disa javë më parë kryeministri Berisha nisi një sulm verbal dhe më pas administrativ kundër njërit prej pronarëve të kompleksit “Tajvan”, i cili u vu në qendër të akuzave, pasi në vitin 2005 kishte blerë aksionet e shoqërisë që botonte gazetën “TemA”. Sali Berisha e akuzoi atë se në shkurt 2005 kishte legalizuar një sipërfaqe rreth një mijë metra katrorë tokë lulishte në parkun “Rinia” me çmim të ulët dhe tha se pas kësaj ishte Edi Rama, si përfitues i pasurisë publike.
Disa ditë më pas, në një gjest qesharak, ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, tha se do të padisë përfituesit e paligjshëm të kësaj pasurie.
Berisha shkoi dhe më tej duke deklaruar në një mbledhje të qeverisë se shtetëzoi tokën e legalizuar, por në të vërtetë vetëm bëri një VKM, ku parku “Rinia” si territor kalon nën administrimin e Ministrisë së Transporteve.
Akuzat u shtynë dhe më tej, kur në një emision në “Top Story”, Jozefina Topalli hodhi akuza të reja, duke theksuar se vetëm dy këshilltarë të opozitës kishin votuar pro legalizimit. Në të vërtetë Partia Socialiste kishte 28 këshilltarë, ndërsa ky legalizim mori vetëm katër vota kundër, çka do të thotë se minimumi 10 këshilltarë të opozitës e kanë votuar pro atë.
Por “Faktori Plus” solli dje pamjet dhe mënyrën e votimit në mbledhjen autentike të siguruar.
Mbledhjen e hapi kryetari i Këshillit, Luan Shahollari, i cili paraqiti dhe projektvendimin në fjalë. Komisioni juridik bëri sqarime mbi natyrën e kësaj kërkese.
Këtë sqarim e forcoi më tej zoti Rama, i cili theksoi pse ky vendim kishte ardhur në Këshillin Bashkiak dhe sipas tij një pjesë e tokës është publike.
Këshilltari i PD, Njazi Kosovrasti, paraqiti rezervat e veta për disa pikëpyetje që ai kishte lidhur me ligjin urbanistik dhe legalizimin e tokës publike. Sipas Kosovrastit, nuk duhej fajësuar vetëm ndërtuesi i “Tajvanit”, që kishte kaluar koeficientin e ndërtimit, por edhe urbanistika e bashkisë. Madje Kosovrasti këmbënguli se përgjegjësia kryesore që lokali po shkonte drejt legalizimit ishte e bashkisë.
Për t’iu përgjigjur Kosovrastit për rezervat mbi përgjegjësinë e bashkisë për ndërtimin që kishte tejkaluar normat, mbrojtjen e bëri përfaqësuesja e zyrës urbanistike.
Pas këtij debati të vetëm, kryetari i Këshillit mori fjalën për të kërkuar qëndrimet e grupeve të këshilltarëve bashkiakë.
I pari e mori fjalën Maks Haxhia, kryetar i grupit të këshilltarëve të opozitës republikane dhe disa këshilltarëve të Ballit Kombëtar, i cili tha se vendimi do të pasqyrohet përmes votës.
Më pas përfaqësuesi i këshilltarëve demokratë, Ilir Rusmali, mbajti të njëjtin qëndrim.
Zonja Eva Allushi, në emër të këshilltarëve socialistë, po ashtu dha votën pro.
Në këtë situatë çështja po shkonte drejt votimit.
Zoti Shahollari arrin të numërojë 35 vota dhe pas kësaj merr fjalën menjëherë zoti Rama. Pra, zoti Shahollari nuk u la të përfundonte procesin e votimit, përtej 35-ës, i cili ishte numri që kalonte dy të tretat e Këshillit.
Këtu fillon dhe pjesa kryesore e debatit.
Zoti Rama kërkon që të votohet dhe për pikën 2 të projektvendimit.
Kjo pikë shpjegon që çmimi i shitjes është i vendosur nga Hipoteka.
Zoti Rama ndërpret me brutalitet numërimin e votave nga Shahollari dhe kundërshton me ashpërsi pikën 2 të vendimit.
Zoti Rama u kundërshtua publikisht në mbledhje nga Luan Bregasi, i cili përfaqësonte këshilltarët socialistë, mbështetës të Fatos Nanos. Ai tha se nuk ishte dakord me miratimin e pikave të veçanta, por me gjithë vendimin.
Kështu hidhet në votë, nëse do të miratohej vendimi ose jo. Nga numërimi publik që bën zoti Shahollari rezulton se ka vetëm katër vota kundër dhe asnjë abstenim.
Pas disa debatesh, nëse duhej votuar i plotë apo duhej rivotuar pika 2, sipas zotit Rama, Shahollari deklaron se projektvendimi miratohet i plotë.
Kështu, kjo histori e shëmtuar shpifjesh dhe përgojimesh nga Sali Berisha, zbardhet në dritën e diellit. I vetmi faktor politik, që në këtë Këshill ka kërkuar ngritjen e çmimit, ishte Edi Rama dhe ai është kundërshtuar nga shumica e Këshillit, pra nga një aleancë Nano-Berisha kundër tij.
Sot, pas 4 vitesh, Berisha mendon se mund të gënjejë dhe mund të përbaltë edhe këshilltarët e tij, por faktet janë kokëforta dhe është vetë Berisha ai që duhet të kërkojë ndjesë për shantazhin ndaj biznesit, për përbaltjen dhe sulmet antiligjore, vetëm pse ky biznesmen ka qenë partner me një medie kritike me të.
“Faktori Plus” pret gjithashtu që zonja Topalli dhe zoti Olldashi të kërkojnë ndjesë për shpifjet e tyre ndaj këshilltarëve bashkiakë të PD në atë kohë, që u udhëzuan nga vetë zoti Berisha të votojnë pro ligjit dhe tani përbalten.
Por mbi të gjitha zoti Berisha, zonja Topalli dhe zoti Olldashi duhet t’u kërkojnë ndjesë shqiptarëve, që përdorin edhe gënjeshtrat, edhe shpifjet, për të ilustruar një fushatë të tyre raciste në revanshin ndaj atyre që i kanë shpallur kundërshtarë politikë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›