E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bomba vret 19 persona në Afganistan

Të paktën 19 persona janë raportuar të vrarë, pas shpërthimit të një bombe të vendosur skaj rrugës, në jug të provincës Helmand në Afganistan.

Kreu i sigurisë së kësaj krahine, Muhamed Ismail, tha se midis të vdekurve ishin shtatë gra dhe pesë fëmijë.

Ismail tha se të paktën pesë persona të tjerë u plagosën, ndërsa njoftoi se të gjitha viktimat ishin civilë.

Provinca Helmand është një nga zonat më të paqëndrueshme në Afganistan.

Forcat e huaja dhe qeveria afgane kanë nisur operacionet më të mëdha të sigurisë për të pastruar rajonin Helmand nga militantët, por kishin vetëm sukses të përkohshëm.

Në anën tjetër, Kombet e Bashkuara dhe Shtetet e Bashkuara kanë qenë të parat që kanë dënuar vdekjen e rreth 60 njerëzve dhe plagosjen e rreth 160 të tjerëve, në dy shpërthime që kishin vënë në shënjestër shiitët në Afganistan në ditën e shenjtë shiite të Ashures.

Të paktën 55 persona u vranë në shpërthimin në kryeqytetin Kabul, në afërsi të pallatit presidencial.

Sulmi është konsideruar si një nga më vdekjeprurësit kundër civilëve në Kabul, që nga rënia e talebanëve një dekadë më parë.

Të paktën katër persona të tjerë u vranë në një bombë në qytetin verior të Mazar-i-Sharif.

Një grup me bazë në Pakistan, Lashkar e-Jhangvi al-Alami, e ka marrë përgjegjësinë për të dy sulmet. Grupi është përgjegjës për dhjetëra sulme ndaj pakicës shiite në Pakistan.

Ndërsa talebanët afganë kanë mohuar çdo rol në këto sulme.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›