E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bombardimet ne Libi Gadafi kercenon Lufte Mesdheut

Regjimi i Tripolit nuk gjen qetësi. Pas sulmeve ajrore të natës, forcat e Gadafit ndodhen sërish nën breshërinë e raketave të koalicionit. Shpërthime janë dëgjuar në afërsi të Bengazit dhe të Misratës, ndërsa avionë luftarakë francezë kanë nisur sulmin ajror mbi Libi, për të dytën ditë radhazi. Burime franceze thonë se po përdoren avionet Rafale dhe Mirazh 2000 kundër mjeteve të blinduara tokësore. Ende nuk dihen shënjestrat e sulmeve të sotme. (update)

Qeveria e Tripolit ka kërcënuar të godasë objektiva civile dhe ushtarakë në Detin Mesdhe në momentin që do të sulmohej ushtarakisht. Kërcënimi i ministrit libian të Mbrojtjes ka vënë në gatishmëri forcat e koalicionit që janë duke monitoruar me kujdes ngritjen e avionëve luftarakë Libianë. Mirëpo, sipas komandantit amerikan Majk Mullen nuk ka avionë libianë në fluturim dhe asnjë të dhënë për civilë të plagosur. Ai ka njoftuar se nuk ka të dhëna se Gadafi ka ndërmend të përdorë armët kimike.

Më herët, 112 raketa Tomahok janë hedhur kundër 20 shënjestrave strategjike nga anijet dhe nëndetëset amerikane dhe britanike. Ushtria amerikane pohon se bombardimet kanë vazhduar përgjatë natës në të gjithë Libinë. Zyrtarët e regjimit të Tripolit thonë se sulmet kanë shkaktuar 94 civilë të vrarë dhe 150 të plagosur. Televizioni libian transmetoi pamje të të plagosurve në spitale.

Kolonel Gadafi në një mesazh në televizionin shtetëror, ka premtuar se ai vetë dhe populli i Libisë do të luftojë pëllëmbë për pëlllëmbë të territorit. Ai e ka cilësuar sulmin e forcave perëndimore si të pajustifikueshëm dhe ka shprehur vendosmërinë për të luftuar gjatë kundër kolonialistëve perëndimorë, siç i quajti forcat e koalicionit.

“Edhe pse mund të vriten të gjithë burrat, gratë do e vazhdojnë luftën kundër të krishterëve”, thotë Gadafi. Ai ka njoftuar hapjen e depove dhe armatosjen e qytetarëve, duke shtuar se bëhet fjalë për një kryqëzatë të re, por Islami, sipas tij, nuk do të humbasë.

Pavarësisht sulmeve ajrore, forcat e Gadafit kanë vazhduar bombardimin e Misratës. Lajmi konfirmohet si nga kryengritësit, si nga burime të AL Xhazirës. Qyteti mbetet i rrethuar me tanke. Ndërkohë, Libia ka kërkuar takimin urgjent të Këshillit të Sigurimit të OKB-së pas sulmit të parë ajror.

Juli Prifti
Azhornuar së fundi ( e diel , 20 mars 2011 )

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›