Bond si ikonë e stilit

Për disa ai paraqet mishërimin e stilit, sharmit, virilitetit dhe të njohjes së pijeve e ushqimit, por edhe të guximit dhe patriotizmit, karakteristika këto që një mashkulli i mundësojnë që asnjë femër të mos jetë e paarritshme për të. Për të tjerët, ai është vetëm një seksist i pagdhendur dhe një relikt i epokës kur dehja, konsumimi i cigareve dhe pickimi i sekretareve ende konsiderohej kulminacion i ekzistencës, veçanërisht kur bëhej fjalë për një mashkull të bardhë anglosakson.
Në fakt, për James Bond vlejnë të gjitha këto që u thanë, madje edhe më shumë se kaq. Kjo ngase, mes tjerash, historia e Bond mbetet edhe një prej franshizave filmike më të gjata e më profitabile – që sivjet kulmon me filmin e 23 me radhë, “Skyfall”, në regji të fituesit të Çmimit Oscar, Sam Mendes (Vorbulla e Jetës).
Para saktësisht gjysmë shekulli, më 1962, u shfaq premiera e filmit “Dr. No”, filmi i parë i serialit filmik për agjentin James Bond, të cilin asokohe e luante aktori Sean Connery. Me rastin e këtij përvjetori, Qendra e Artit Barbican, në Londër, ka organizuar një ekspozitë të madhe, që u hap më 5 korrik dhe do të zgjas deri më 5 shtator, kushtuar ikonës së stilit, James Bond. Kuratore e ekspozitës është historiania e modës, Bronwyn Cosgrove (në bashkëpunim me kostumografen e shpërblyer me Çmimin Oscar, Lindy Hemming), e cila stilin sportiv të Bondit, të viteve të 60’a, e konsideron inspirim për dizejnatorët Hedi Sliman dhe Tom Ford.
Sido që të jetë, ekspozita “Dizajnimi i 007: 50 Vjet me Stil” vizitorëve iu ofron një vështrim të kostumeve të shumta origjinale nga filmat për Bond; duke filluar që nga rrobat Brioni, në të cilat Pierce Brosnan ngiste tankun në filmin “Syri i Artë”, e deri te palltoja dhe kapela Chesterfield, me të cilat u shfaq Sean Connery në takimin e parë me M. në filmin “Mr. No”. Natyrisht, aty janë edhe kilti me të cilin shëtiste Bondi, George Lazenby,i cili nuk arrit të përshtatej brenda mitologjisë së Agjentit 007, veç tjerash edhe për shkak se ai në filmin “Spiuni që më Deshi” u martua.
Ekspozita në Barbican shkon edhe përtej prezantimit dhe analizës së stilit nuk të Bond, kështu që aty mund të shihen edhe veturat që i ngiste Agjenti 007, skenat e ndryshme të njohura dhe pajisjet që rregullisht ia shpëtonin jetën në momentin e fundit.
Një vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe femrave që u shfaqën në serial. Për shembull, sot ideja për emërtimin e dikujt Pussy Galore gati që konsiderohet nënçmuese, por në gjysmën e viteve të 60’a kur ‘Pussy’ u paraqit në filmin “Goldenfinger”, ajo ishte ndër femrat e rralla që në ekran të madh u shfaq në pantallona. Kështu që nuk habit as fakti që, në filmat e mëvonshëm, një ‘Pussy Galore’ në filmin e Bond shfaqet si personazhi i parë lesbik, ndërkohë që një tjetër është vetë Madonna, e cila shfaqet si mësuese e skermës në një rol të saj episodik në filmin e vitit 2002. Natyrisht, edhe ky kostumi saj mund të shihet në ekspozitë.
Kuratorja e ekspozitës, Cosgrove, sqaroi për gazetën britanike ‘The Gurdian’, se “franshiza filmike për agjentin Bond është glamuroze, dhe se atë asgjë s’mund ta nxjerrë në harresë. Mes tjerash, edhe për shkak se Bond edhe sot mbetet inspirim për njerëzit e gjithë botës”.
E vërtetë, lokacionet luksoze dhe ekzotike, të ndërlidhura me rrëfimin, pijet e shtrenjta, femrat e bukura dhe me mungesën e çfarëdollojshme të përgjegjësisë njerëzore, bëjnë që Bond të vazhdojë të mbetet inspirim.