Bondet shqiptare shtyhen për në kalendat greke
Rritja e interesit maksimal të pranueshëm për bondet shqiptare nga 7.5 në 8.5 për qind, duket se nuk e ndihmoi dot qeverinë shqiptare të emetojë në kohë eurobondet e dëshiruara me vlerë 350-400 milionë. Me gjithë përpjekjet e vazhdueshme të kryera gjatë muajit maj, Ministria e Financave nuk ka planifikuar emetime as për këtë javë, ndërsa ekspertët e bankave vlerësojnë se përpjekjet e saj për të surprizuar tregjet kanë bazë shkencore të dyshimtë.
“Nëse ke ndër mend të marrësh borxh, dhe fillimisht shpall një interes maksimal prej 7.5 për qind, nuk është e mundur që t’ua mbash të fshehtë investitorëve faktin se ke ndryshuar mendje e dëshiron të pranosh deri në 8.5 për qind. Kjo thjesht nuk ka kuptim”, komentoi eksperti i një banke në Tiranë, i cili nuk foli publikisht, për shkak se nuk qe i autorizuar. Media në Tiranë raportoi se qeveria ka miratuar në Kuvend një ligj të fshehtë me të cilin rrit hapësirën për Ministrinë e Financave. Ministria nuk ka dhënë shpjegime për këtë veprim, por më herët zyrtarë të saj qenë ankuar ndaj medias për publikimin e faktit se, sipas ligjit, interesi maksimal i pranuar qe 7.5 për qind. Mbetet e paqartë nëse rritja e interesit maksimal u mbajt e fshehtë për arsye tregtare, apo për arsye politike. Në të gjitha rastet, as rritja e interesit në 8.5 duket se nuk mjafton në kushtet aktuale të tregut ndërkombëtar. Bondet dhjetëvjeçare të Greqisë u këmbyen dje përkundrejt interesit 8.076 për qind dhe u rritën me 35 pikë bazë në krahasim me të premten. Bondet dyvjeçare të Greqisë u këmbyen për 7.818 për qind në tregun sekondar. Shqipëria dëshiron të emetojë bonde me afat maturimi 3 dhe 5-vjeçare. Greqia ka bonde shumë më cilësore se sa Shqipëria, për shkak se vlerësimi i saj nga “Standard & Poor’s” është tri shkallë më sipër, ndërsa bondet e saj mund të vendosen si kolateral në Bankën Qendrore Europiane, ndërsa ato të Shqipërisë, jo. Qeverisë shqiptare po i afrohet ndërkohë data për pagesën e interesave për borxhin e shtrenjtë që mori vitin e kaluar, ndërsa nevoja e saj për financime po rritet.
Nga ana tjetër, duke e mbajtur të fshehtë vendimin për rritjen e interesit maksimal të pranueshëm, qeveria shqiptare duket se ka penalizuar veten. Ligji për rritjen e interesit në 8.5 për qind u miratua në 6 maj, por në tri javët e fundit, pra pas gjashtë majit, të gjithë menaxherët e bankave të interesuara për blerjen e bondeve, i referoheshin kuotës 7.5 për qind si interesi maksimal i pranueshëm. “Interesi prej 7.5 për qind është jorealist në kushtet e sotme të tregut”, deklaroi te “Reuters” menaxheri i njërës prej bankave më 11 maj, pra disa ditë pasi ligji sekret për rritjen e interesave qe miratuar.
#