Varshava nën ujë. 100 mijë persona do të evakuohen
Rreth 100 000 persona priten që të evakuojnë Varshavën, kryeqytetin e Polonisë, pas një përmbytjeje të beftë dhe të përmasave shumë të mëdha që i ka bërë gjithë qytetit lumi që kalon përmes tij. Sasia shumë e madhe e ujit ka marrë deri më tani jetën e 12 personave. Shpërthimi i digave të lumit Vistula ka ndodhur të dielën. Ai ka dalë dhe është derdhur me furi në rrugët e qytetit, duke i shndërruar ato në lumenj të vrullshëm. Si pasojë, gjatë ditës së djeshme janë ndaluar thuajse të gjitha aktivitetet e përditshme në qytet. Shkollat dhe zyrat publike nuk kanë funksionuar dhe po të hënën niveli i ujit të lumit ka mbërritur në disa zona të kryeqytetit në katin e dytë të banesave. Kryebashkiaku i Varshavës urdhëroi që mbyllja e institucioneve të vazhdojë deri në momentin kur niveli i ujit të ketë rënë dhe rrugët të bëhen sërish të përshkueshme nga makinat dhe këmbësorët. Edhe pse duke filluar që nga mesdita e djeshme, niveli i ujit ka filluar gradualisht të bjerë, situata vazhdon të jetë emergjente dhe në rrezik. “Kërcënimi është ende i pranishëm dhe i prekshëm për të gjithë dhe nuk është fjala për dëmtime, por për çështje jete apo vdekje. Kjo është një katastrofë e përmasave të mëdha, që deri më tani ka marrë 12 jetë njerëzish dhe rrezikon të marrë edhe jetë të tjera nëse nuk do të tregohemi të kujdesshëm”, ka deklaruar bashkiaku i Varshavës. Më në rrezik kanë qenë disa zona në periferi të kryeqytetit, ku ka pasur edhe viktima më shumë. Pikërisht në këto zona, në afërsi të Plock, lumi Vistula ka pasur edhe shpërthimin dhe derdhjen më të madhe, duke e çuar nivelin e ujit deri në afërsi të 1 metërshit, madje, sipas disa pamjeve të transmetuara nga televizioni polak, në disa zona uji ka shkuar deri në lartësitë e çative të shtëpive. Pikërisht ky ka qenë edhe shkaku i vdekjes së 12 personave. Një pjesë prej tyre janë bllokuar në shtëpi nga uji i beftë dhe në pamundësi për të dalë janë mbytur. “Shërbimet e urgjencës po përpiqen që të ringrenë digat e shembura të lumit, duke u përpjekur ta fusin lumin në shtratin e tij, por sipas specialistëve, një veprim i tillë kërkon kohë. Në Poloni një numër i madh digash që mbajnë nivelin e ujërave të lumenjve brenda shtratit janë në një gjendje shumë të dobët dhe shirat e ditëve të fundit e kanë bërë problematike situatën jo vetëm në Varshavë dhe rrethinat e saj, por në të gjithë vendin. Ditë më parë ka pasur edhe rrëshqitje të tokës në zona të ndryshme të vendit dhe aktualisht mjaft zona mbeten ende nën ujë dhe në kërcënimin e vazhdueshëm të rritjes së nivelit të tij. Ndërsa uji ka nisur pak nga pak të ulë nivelet, punonjësit e shpëtimit kanë zbuluar edhe trupat e viktimave, personave që deri pak kohë më parë ishin konsideruar të zhdukur. Ndërkohë, mbi 100 mijë banorë të zonave më të mundshme për t’u përmbytur sërish janë paralajmëruar që të evakuohen, pasi situata nuk është në kontroll dhe gjithçka mund të ndodhë në një kohë të papritur.
#