Kreu i Qeverisë: Në përputhje me programin, do të rriten rrogat e pensionet
Në përputhje me programin e qeverisë, do të rriten rrogat dhe pensionet. Garancia erdhi sot nga kreu i Qeverisë, Sali Berisha, i cili tha se kjo rritje është e bazuar fund e krye në funksionimin e ekonomisë shqiptare. “Në një kohë kur vendet më të pasura të kontinentit po bëjnë ulje të mëdha rrogash, po ngrijnë pensionet, po heqin të gjitha bonuset dhe stimujt, qeveria shqiptare vazhdon e vendosur në programin e saj të rritjes së rrogave, të rritjes së pensioneve, të krijimit të stimujve, të uljes së mëtejshme të taksave, sepse besoj që këto janë parimet më të drejta, në mënyrë që Shqipëria të vendoset së shpejti në orbitën e rritjes ekonomike dyshifrore, në orbitën e zhvillimit më të shpejtë”, deklaroi Berisha. Deklarata e kreut të ekzekutivit u bë gjatë vizitës së zhvilluar në një fabrikë të prodhimit, stampimit, riciklimit dhe ambalazheve plastike fleksibile, në Kashar, investim ky me vlerë rreth 10 milionë euro. Më pas, Kryeministri Berisha zhvilloi dhe një takim me kryesinë e Shoqatës së Ricikluesve të Shqipërisë.