E Shtunë, 31 Tetor 2026

Leku vijon rënien përballë euros dhe dollarit

Kursi

Monedha shqiptare vijoi të dobësohet përballë të gjitha monedhave kryesore të huaja gjatë ditës së djeshme, si pasojë e forcimit të kërkesës për valutë në treg dhe ndryshimeve të forta në tregun ndërkombëtar. Leku humbi 10 qindarka kundrejt euros, duke u kuotuar në 136.95 sipas kursit mesatar të paradites që publikohet nga Banka e Shqipërisë. Kjo qe dita e gjashtë negative për lekun, i cili humbi dje edhe kundrejt dollarit. Monedha amerikane fitoi 1.11 lekë dhe u këmbye në kuotën 110.22. Ndryshimi erdhi si pasojë e rënies së euros kundrejt dollarit në tregun ndërkombëtar.
Në tregun ndërkombëtar, euro ra dje në 1.2376 dollarë nga 1.2572 dollarë që ishte të premten. Euro shënoi pikën më të ulët në shumë vite të mërkurën e shkuar, në kuotën 1.2144 dollarë, por u rrit me shpejtësi në fundjavë për shkak të lajmeve spekulative që flisnin për ndërhyrje të Bankës Qendrore Europiane në treg. Sipas “New York Times”, investitorët duket se nuk presin rënie të mëtejshme të euros dhe kanë ulur sasinë e parave të investuara duke parashikuar rënien e euros.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›