Bonot e privatizimit, shtyhet afati deri në 2013

Qytetarët të cilët zotërojnë bono privatizimi mund ti përdorin ato edhe për dy vjet për legalizimin e ndërtimeve pa leje por edhe për privatizimin e aseteve shtetërore. Komisioni për Ekonominë dhe Financat miratoi ndryshimin në ligj vetëm me votat e mazhorancës dhe mes debateve të ashpra. Sipas Linda Rusmajlit, drejtoresh juridike në Ministrinë e Financave kjo kërkesë erdhi si rezultat i kërkesës për përdorim të mëtejshëm të këtyre instrumentave financiarë që gjendën në duart e individëve.
Ndërkohë që sipas Mimi Kodhelit, deputetes së Partisë Socialiste ky proçes është i dështuar dhe zgjatja e afatit nuk do të jepte asnjë zgjidhje.
Bonot e privatizmit me miratimin e këtij ligji do të përdoren deri në datën 31 dhjetor të 2013. Pritet që ky ndryshim ti shërbejë lehtësirave që u janë krijuar ish pronarëve të truallit në proçesin e privatizimit të të pronës shtetërore, të cilët gëzojnë të drejtën e parablerjes në këtë process, si dhe lehtësirave që u janë krijuar subjekteve në proçesin e privatizimit të truallit për objektet e privatizuara në vite, si dhe në proçesin e legalizimit të ndërtimeve pa leje nëpërmjet ALUIZNI-t.