E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbatohet vetëm gjysma e rekomandimeve

12/12/2011  KLSH dërgon 588 rekomandime për 9-mujorin, zbatohen vetëm 52 për qind

Dëmi ekonomik prej 6,9 miliardë lekësh. Për tre persona dorëzohet kallëzim penal

Vetëm gjysma e rekomandimeve të lëna nga Kontrolli i Lartë i Shtetit janë zbatuar nga ana e institucioneve ku janë vënë re shkelje dhe dëm financiar. Sipas raportit për 9-mujorin e këtij viti, nga kontrollet e ushtruara janë zbuluar parregullsi dhe shkelje financiare në të ardhurat dhe në shpenzimet e kryera, me dëm të përgjithshëm në shumën prej 6 894 468 000 lekësh. Pjesa më e madhe e dëmit të konstatuar prej 345 709 000 lekësh është në fushën e shitjes dhe dhënies me qira të pasurisë shtetërore. Ndërkaq, dëmi në dogana është në vlerën 181 109 000 lekë, në fushën e prokurimeve në vlerën 175 398 000 lekë. Për shkeljet e konstatuara, KLSH ka kërkuar shqyrtimin dhe marrjen e 588 masave disiplinore dhe administrative. “Në bazë të ligjit për KLSH-në, për masat e kërkuara dhe llojin e tyre është njoftuar dhe Departamenti i Administratës Publike, Tiranë. Gjatë kësaj periudhe, nga ana e KLSH-së janë bërë 3 kallëzime penale, të cilat janë në hetim”, - thekson raporti i KLSH-së.

Rastet

Sa i përket dëmit në fushën e shitjes dhe dhënie me qira të pasurisë shtetërore, ky dëm është konstatuar në Drejtorinë e përgjithshme të Politikave të Pyjeve dhe Kullotave, Tiranë, në vlerën 342 001 000 lekë, për mosllogaritje dhe mosarkëtim të tarifave te shfrytëzimit të fondit pyjor, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë, në vlerën 978 000 lekë si rezultat i përllogaritjeve të gabuara të sipërfaqes së dhënë me qira për 16 raste, në Bashkinë Sarandë dhe Bashkinë Fier, në vlerat respektive 1 014 000 lekë dhe 33 000 lekë, për mosarkëtim qiraje dhe kamatëvonesa, etj. Sa i përket prokurimeve 30 491 000 lekë dëm janë zbuluar në Bashkinë Tiranë, 22 396 000 lekë në Bashkinë Durrës, 15 185 000 lekë në Ministrinë e Turizimit, etj. “Ky dëm efektiv i përket veprimtarisë ekonomiko-financiare për periudhën kohore 2008-2011, përcaktuar për çdo subjekt të kontrolluar në programet e kontrollit. Për parregullsitë dhe shkeljet financiare, KLSH-ja ka rekomanduar zhdëmtimin e dëmit të shkaktuar në masën 100% të tij”, - thekson raporti.

Kontrollet

Për të metat dhe shkeljet e konstatuara për çdo subjekt të kontrolluar, në bazë të ligjit nr. 8270, datë 23.12.1997 “Për Kontrollin e Lartë të Shtetit”, ndryshuar me ligjin nr. 8599, datë 01.06.2000, KLSH-ja ka lënë detyra për zbatim, duke njoftuar edhe institucionet apo nomenklaturat përkatëse, si dhe ka bërë publike rezultatet e kontrolleve në medien e shkruar dhe atë elektronike. Për 9-mujorin e vitit 2011, Kontrolli i Lartë i Shtetit, nga 112 kontrolle të planifikuar për evadim, në fakt ka ushtruar dhe ka vijuar me përgatitjen e materialeve për 182 kontrolle, nga të cilat 131 janë të përfunduar e të evaduar, ku 66 të kombinuar, 47 për ligjshmërinë dhe rregullshmërinë, 7 auditime financiare, 2 performance, 1 certifikim të llogarive, 3 vlerësues dhe 5 tematikë. Gjithashtu 25 janë të përfunduar si proces kontrolli në subjekt, por të paevaduar dhe 26 janë në proces kontrolli.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›