E Diel, 1 Nëntor 2026

Bonot, kategoritë që i rimarrin nga bankat

06/11/2009  Nuk do të ketë lëshim të fondeve të reja, por vetëm rishpërndarje

Bonot e privatizimit do t’u rishpërndahen vetëm personave, të cilët e morën këtë të drejtë në vitin 1995. Por si pasojë e ngjarjeve të asaj kohe, apo daljes së fondeve të ndryshme të investimit nuk i kanë në posedim të tyre. Ekspertët bëjnë të ditur se nuk do të ketë lëshim të Bonove të reja të Privatizimit, në formën e parashikuar në ligjin e vitit 1995, por vetëm një rishpërndarje të tyre. Ndërkohë që dhe në rast të grumbullimit të tyre në një fond të vetëm, qeveria ka vendosur rregulla konkrete për detyrimet që kanë palët. Kjo duke ruajtur si përqindjen e aksionit, ashtu dhe rolin që do të duhet të ketë fondi në administrimin e letrave me vlerë, apo titujve të pronësisë. Ekspertët gjithashtu bëjnë me dije se edhe në rastin kur përfituesi i parë e ka të pamundur të paraqiten në banka për të tërhequr bonot që i takojnë, do të jenë pasardhësit e tij që do të kenë mundësinë e tërheqjes. Ndërkohë që mësohet se janë rreth 5 mijë persona të përfshirë në fondin e Anglo-Adriatikas, si dhe një numër i konsiderueshëm i të përndjekurve politikë që nuk kanë arritur t’i vënë në përdorim bonot e privatizimit. Ndaj dhe me hyrjen në fuqi të ligjit të ri, do të nisë rishpërndarja e këtyre letrave me vlerë. Ndonëse vlera që ato do të kenë në treg do të jetë shumë herë më e ulët nga ajo çfarë parashikohet. Kjo pasi dhe për shkak të procedurave të privatizimeve të objekteve shtetërore, pjesëmarrja me bono është shumë e vogël. Ndaj dhe pritet që tregtimi i tyre të realizohet kryesisht për efektin e legalizimeve të ndërtimeve të paligjshme.

Gjithsesi ekspertët theksojnë se rishpërndarja e letrave me vlerë është dhe respektim e së drejtës së gjithsecilit, pasi në këtë mënyrë të gjithë do të marrin atë çfarë u parashikua nga ligji i asaj kohe. Burimet bëjnë të ditur se javën e ardhshme projektligji i miratuar në Komisionin e Ekonomisë do të kalojë dhe për votim në Parlament. Por veç letrave me vlerë ky draft krijon dhe mundësinë që të aplikohet dhe bursa e tregtimit të titujve në Tiranë, apo dhe shitblerja e kontrolluar e titujve të pronësisë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›