E Shtunë, 31 Tetor 2026

Interi në krizë, kërkohet zgjidhja

11 gola të pranuara në katër ndeshje, gjatë të cilave erdhën tri humbje dhe një barazim. Inter është kthyer në krizë dhe kërkon të gjejë rrugëdalje prej saj. ‘Shpëtimi’ kërkohet nga Wesley Sneijder. Holandezi mund të shndërrohet nga problemi në zgjidhje për Nerazzurrët.

Dështim! I tillë është mendimi i tifozëve të Interit pas paraqitjes dëshpëruese të ekipit në humbjen 4-0 nga Roma të dielën në Olimpico. Në fakt, dukej se skuadra e Claudio Ranierit as nuk kishte dalë në fushë. Giallorossët e udhëhequr nga Luis Enrique luanin me shpejtësi për dallim nga Nerazzurrët që duken skuadër krejt tjetër nga ajo që me Jose Mourinhon fitoi të gjithë titujt e mundshëm.

Por, Interi i së dielës ishte më i ndryshëm edhe pse skuadra që më herët kishte fituar shtatë ndeshje me radhë. Në gjendjen aktuale, çdo tifoz i Interit ka arsye për të qenë i brengosur. Kush i ka shikuar ndeshjet e fundit me Leccen, Palermon dhe së fundmi Romën, e di për çka është fjala.

Skuadra që luajti ne Romë është ajo që ka pranuar 11 gola në katër ndeshjet e fundit, gjatë së cilave ka humbur tri herë dhe barazuar një (4-4 me Palermon). Kjo me Romën ishte disfata e tetë për Interin pas 22 xhirosh në Serie A. Duhet të kthehemi më 1998/99 për të gjetur një vit të ngjashëm si ky me plot dëshpërime. Tetë humbje, i njëjti numër i disfatave në gjithë sezonin e kaluar.

Mbrojtja e dridhur

Ranieri ka provuar: ka ndërruar modulin shumë herë, ndoshta më tepër se në gjithë karrierën e mëparshme, e zgjidhja e problemit ende mbetet enigmë. Moduli me dy sulmues dukej ai që shërbente më së tepërmi garanci: inkuadrimi i Wesley Sneijderit nuk është se kontribuoi shumë në lojën e ekipit.

Por, mbajtja jashtë e holandezit krijon polemika, por ai më nuk është problemi i Nerazzurrëve. Tani është shëruar plotësisht. Problemi i Interit nuk duket të jetë sulmi, por mbrojtja: nga Julio Cesar e tutje të gjithë mbajnë duart në kokë.

Vija mbrojtëse, me një Samuel i cili sërish ‘çalon’ në tentimet për të zënë në pozitë jashtë loje sulmuesit kundërshtarë, ka qenë një gabim i shpeshtë në ndeshjet e fundit e që u dënua më së miri nga sulmuesi i Palermos, Fabrizio Miccoli i cili realizoi het-trik.

Mungon adrenalina

Shkakun e rënies janë duke e hetuar në detaje stafi teknik i Interit. Ranieri ka folur për mungesë të “adrenalinës”. Përfundimi i një epoke është gjithmonë i vështirë për t’u përballuar ekipi i ‘Tripletës’, që fitoi gjithçka që mund të fitohet, duket se ka marrë fund.

Sneijder, nga problemi në zgjidhje

Në kërkim të rrugëdaljes nga situata aktuale, përmendet emri i Wesley Sneijder. Pikërisht holandezi është futbollisti nga i cili tifozët e Interit presin që skuadra të dalë nga kriza. Sneijder në formën e tij më të mirë mund të jetë ai që eliminon problemet e Nerazzurëve, mjafton t’i gjendet një vend në ekip. Tingëllon e lehtë, apo jo Ranieri?

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›