E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bora “pushton” Kukësin, bllokohen disa akse

Të dhënat më të fundit bëjnë me dije se deri më tani trashësia e deborës arrin në 30 centimetra ndërsa në zonat rurale në mbi 50 cm. Mjetet borëpastruese janë vënë në përdorim për përballimin e situatës. "Synojmë të mbajmë hapur aksin kryesor rrugor Morin-Kukës- Qafë Shllak që lidh Kosovën me Shqipërinë, ndaj që në orën  3 të mëngjesit janë angazhuar 3 borëpastruese", deklaroi drejtori rajonal i ndërmarrjes së Mirëmbajtjes së Rrugëve në Qarkun e Kukësit, Rushit Gashi. Ai shtoi se situata sa vjen e përkeqësohet, pasi rreshjet vazhdojnë të jenë të dendura, ç'ka e bën të paefektshme hedhjen e skorjes së kripës, ndonëse rezervat nuk mungojnë. Aktualisht janë të bllokuara akset rrugore Kukës - Shishtavec dhe Kukës - Peshkopi, ndonëse është në punë edhe nga një fadromë. "Rreshjet e dendura të borës thuajse e bëjnë të pamundur zhbllokimin e këtyre akseve rrugore",  tha përgjegjësi i zyrës së Emergjencave Civile në prefekurën e Kukësit, Azem Tema. Rreshjet e mëdha të dëborës kanë bllokuar komunat e Arrnit, Surrojit, Shishtavecit, Zapodit, Topojanit, Bushtricës, Kalisit, Ujmishtit dhe Grykë Cajës, ku brenda pak orëve trashësia e borës ka arritur mbi 60 cm. "Duke qenë se rreshjet e dëborës janë të dendura po përpiqemi të mbajmë nën kontroll akset rrugore nacionale, ndërsa rrugët rurale thuajse janë tërësisht të bllokuara nga rreshjet e dendura të dëborës", tha sekretari i prefekturës Rexhep Cena.  Rreshjet e dendura të borës që nisën pas mesnate i ngjajnë rreshjeve të borës së dimrit të vitit 1985.                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›