E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kthehen emigrantët, fluks në pikat doganore

Pasi kanë kaluar festat e fundvitit pranë familjarëve, emigrantët kanë marrë rrugën e kthimit për në vendet ku jetojnë dhe punojnë.

Mijëra persona, kryesisht emigrantë shqiptarë kanë kaluar nga pikat kufitare në të gjithë vendin.

Edhe të martën fluksi më i madh i emigrantëve në dalje është shënuar nga pika kufitare e Kakavijës në Gjirokastër.

Sipas të dhënave zyrtare, pranë kësaj pike të kalimit kufitar, vetëm gjatë mëngjesit të së martës, traun e doganës e kanë kaluar mbi 1600 persona dhe 186 automjete.

Piku i fluksit në Kakavijë u shënua gjatë ditës së dielë, nga ku drejt shtetit helen kaluan më shumë se 10 mijë persona.

Ndërkaq, fluks në dalje është shënuar edhe pranë doganës së Kapshticës.

Fluksi pranë doganës së Kapshticës u regjistrua në orët e mesditës, kohë kur u regjistruan edhe radhë.

Radha u krijua nga rreth 200 automjete dhe 1000 persona.

Pala shqiptare punon me 4 sportele, ndërsa ajo greke punon me 5 sportele

Ndërkaq sipas të dhënave zyrtare, gjatë 24 orëve të fundit, nga kjo pikë kufitare kanë dalë mbi 6000 persona me 1500 mjete.

Ndërkohë, një numër më i vogël personash kanë dale nga Shqipëria permes pikave kufitare më të vogla; si Murriqani, Qafë Bota, Tre Urat, dhe Qafë Thana.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›