Bora “pushton” dhjetëra fshatra në verilindje
“Reshjet e borës kanë bllokuar akset rrugore që lidhin fshatrat e komunave të Arrnit, Zapodit, Grykë Cajës e Kalisit të rrethit të Kukësit, me qendrat e komunave, ku trashësia e borës arrin në mbi 60 centimetra”, tha përgjegjësi i zyrës së emergjencave civile në prefekturë Azem Tema sipas të cilit të izoluar janë dhe fshatra të veçantë të komunave të Topojanit, Shishtavecit, Ujmishtit e Bushtricës të po këtij rrethi. Për normalizimin e qarkullimit, në aksin rrugor Morin-Kukës-Qafë Shllak po punojnë 3 borëpastruese si dhe një kamion për hedhjen e kripës, në aksin rrugor Kukës – Shishtavec po punon një bjellorus si dhe një kamion, ndërsa në aksin rrugor Kukës – Krumë një borëpastruese dhe një kamion. “Edhe pse reshjet e borës vazhdojnë lëvizja e mjeteve në këto akse nuk është bllokuar për asnjë moment" siguron Gashi. Edhe në rrethin e Tropojës, pavarësisht rreshjeve të borës, akset rrugore që lidhin rrethin me pjesën tjetër të vendit si dhe qendrat e komunave me qytetin e Bajram Currit janë ende të kalueshme. Në rrethin e Tropojës, të bllokuara janë 14 fshatra, kryesisht të komunave të Lekbibajt e Margegajt ku trashësia e borës arrin deri në një metër.