E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bora bllokon aksin që lidh Shkodrën me Komanin

Temperaturat e ulta dhe reshjet e dëborës kanë përfshire të gjithë Qarkun e Shkodrës. Kështu dëbora e rënë ka shkaktuar probleme në qarkullim, si dhe ka bllokuar aksin rrugorë që lidh Shkodrën me Komanin. 

SHKODËR- Ashtu siç ishte parashikuar edhe nga sinoptikanët, reshjet e dëborës kanë përfshirë totalisht Qarkun e Shkodrës. Dëbora e rënë gjatë mbrëmjes së kaluar, por edhe gjatë të gjithë ditës së sotme ka bllokuar totalisht qarkullimin për në fshatin Vermosh të komunës Kelmend. Trashësia e dëborës në vendin e quajtur Qafa e Bordolecit arrin deri në 60 cm duke bllokuar kështu totalisht qarkullimin në këtë aks që lidh Vermoshin me pjesën tjetër të Shqipërisë.
Gjithashtu, mbetet i bllokuar aksi që lidh fshatin Bogë me fshatin turistik të Thethit, ku trashësia e dëborës në pikën më të lartë të quajtur Qafa e Thorës arrin deri në 1 metër. Për arsye të akullit dhe ngricave, policia rrugore ka bllokuar qarkullimin në aksin nacional që lidh Shkodrën me Komanin, ndërkohë mësohet se ulja e temperaturave ka shkaktuar bllokim të rrugëve edhe në zonën e Dukagjinit. Burime nga shtabi i emergjencave civile pranë prefekturës së Qarkut Shkodër bëjnë të ditur se janë marrë të gjitha masat për përballimin e kësaj situate, por probleme mund të shfaqen nëse reshjet e dëborës do të vijojnë të jenë të pranishme edhe në ditët në vijim, pasi në këtë mënyrë mund të bllokohet edhe puna e borë pastrueseve dhe mjeteve të tjera. (a.r/news24/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›