E Diel, 1 Nëntor 2026

Bora bllokon edhe seancën në Kuvend. Topalli: Nuk është në rendin e ditës

Situata e krijuar në vend nga reshjet e mëdha të borës është bërë shkak i mbylljes së seancës së sotme parlamentare, ende pa nisur mirë.

Seanca plenare e radhës, e cila filloi me 40 minuta vonesë, nuk ka zgjatur më shumë se 10 minuta, pasi kryeparlamentarja Topalli ka deklaruar mbylljen e saj me arsyetimin se po diskutohet jashtë rendit të ditës.

Ka qenë  kreu i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, ai që e ka marrë fjalën i pari në nisje të seancës, duke u përqendruar në situatën e vështirë të krijuar në veri dhe verilindje, ku me mijëra banorë janë të izoluar nga bora prej më shumë se 2 javësh.

Ruçi është shprehur se vendi ndodhet në një situatë fatkeqësie, për përballimin e të cilës duhet të bashkohen të gjithë dhe ka shtuar se kryeministri Berisha duhej të ishte i pranishëm në seancë për të raportuar mbi gjendjen.

Por kryetarja e Kuvendit i ka prerë fjalën Ruçit, duke u shprehur se kjo nuk ka të bëjë me rendin e ditës.  Insistimit të Ruçit për të vazhduar fjalën, Topalli i është përgjigjur me vendimin për mbylljen e seancës.

Një ditë më parë, opozita vendosi ti paraqesë Kuvendit në seancën e së enjtes, planin e veprimit afatshkurtër dhe afatmesëm për daljen nga situata e jashtëzakonshme, për shkak të motit të keq që ka mbuluar vendin. G.N.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›