Mijëra banorë të bllokuar nga bora prej 2 javësh, zhduken 9 persona në fshatin Lekbibaj
Rikthimi i reshjeve të borës në veri dhe verilindje të vendit e kanë vështirësuar situatën në të cilën ndodhen me mijëra banorë, të cilët janë të izoluar prej dy javësh.
Situata më problematike paraqitet në qarkun e Kukësit, ku të gjitha rrugët që lidhin komunat me qytetet janë të bllokurara. Në Tropojë, trashësia e borës i kalon 2 metër e 30 cm në qytet, ndërsa mëngjesin e sotëm reshjet kanë nisur sërish.
Në fshatin Lekbibaj mësohet se 9 persona rezultojnë të zhdukur prej 10 ditësh. Familjarët kanë dhënë alarmin dhe kanë kërkuar ndihmën e autoriteteve qendrore.
Kryetari i komunës, Gëzim Meshaj, ka kërkuar dërgimin e një helikopteri për të parë nga afër situatën në këtë zonë të thellë, ku trashësia e borës i kalon 3 metër.
Ndërkohë, mësohet se janë kthyer në shtëpi 5 punonjësit e Hidrocentralit të Fierzës, të cilët për 6 ditë me radhë kanë qenë të bllokuar në vendin e tyre të punës në Gropat e Poravit, për shkak të bllokimit të rrugës që e ka bërë të pamundur ndërrimin e turneve.
Burime për Shekullin bëjnë të ditur se 5 punëtorët kanë udhëtuar për 8 orë me radhë duke e hapur vetë rrugën, ndërsa janë pritur nga autoritetet vendore në qytezën e Fierzës.
Lugina e Valbonës vijon të mbetet e bllokuar dhe pa energji elektrike, ndërsa banorët shpresojnë në ndërhyrjet nga ajri për furnizimin me ushqime dhe ilaçe.
Në një kontakt telefonik, ata u shprehën për Shekullin se që prej tre ditësh kanë punuar për krijimin e një hapësire ku mund të ulen helikopterët, ndërsa janë në pritje të këtyre të fundit.
Në Kukës, të gjitha akset rurale janë të bllokuara, ndërsa Hasi është përballur edhe me ndërprerjen e energjisë elektrike. Të kalueshme me zinxhirë janë akset Kukës-Krumë dhe Morinë-Kalimash.
Në Dibër, reshjet e rëna gjatë natës e kanë rënduar akoma më tej situatën. Në Fushë-Bulqizë, një shtëpi është shembur duke lënë të pastrehë një familje me 4 pjesëtarë.
Reshjet e mbrëmshme kanë vështirësuar edhe qarkullimin në aksin Tiranë-Elbasan, ndërsa në Qafë Krrabë kalohet vetëm me zinxhirë për shkak të dëborës, ndërsa probleme hasen edhe në qarkullimin brenda qytetit të Elbasanit.
Ndërkohë, të kalueshme me zinxhirë janë akset Librazhd-Pogradec, Korçë-Pogradec, Korçë-Voskopojë dhe Korçë-Ersekë kalohen vetëm me zinxhirë.