Bora bllokon rrugët nacionale
Mbrëmë, në orët e darkës, në gjithë verilindjen janë shënuar reshje të dendura dëbore dhe ulje të theksuar të temperaturave të ajrit. Në Kukës trashësia e dëborës deri në orën 20:00 ka qenë rreth 20 cm, ndërsa në zonat malore ka arritur në 40 cm. Qarkullimi i mjeteve në rrugët nacionale ka qenë tepër i vështirë deri në këtë orë, ndërsa pas mesit të natës deri në mëngjes rrugët kanë qenë plotësisht të bllokuar. Drejtori i Ndërmarrjes Rajonale të Rrugëve, Rushit Gashi, i cili mbrëmë ndodhej në Kalimash, tha se intensiteti i reshjeve ishte mjaft i lartë, çka po bënte të vështirë pastrimin e dëborës nga një numër shumë modest i borëpastrueseve që ka kjo ndërmarrje. Nga ana tjetër, sipas një burimi të besueshëm, policia lokale ka vendosur të ndalojë udhëtimin gjatë natës të kamionëve të tonazhit të rëndë, si dhe të çdo automjeti pa zinxhirë. "Kamionët e mëdhenj e kanë të pamundur të depërtojnë në këtë mot Qafën e Malit dhe nuk ndërrohen dot në kthesat e panumërta. Më mirë të presin ditën e nesërme", tha një efektiv i qarkullimit rrugor. Por gjithsesi, siç u shpreh drejtori i Rrugëve Rajonale, qarkullimi në aksin nacional është rralluar së tepërmi në orët e mbrëmjes, ndërsa përbën problem linja e autobusëve të linjës së Kosovës. Rrugët e tjera nacionale: Kukës-Peshkopi, Kukës-Shishtavec, si dhe Bajram Curri-Qafë Mali, kanë qenë të bllokuara pas orës 20:00 të ditës së djeshme. Po ashtu edhe rrugët rurale të komunave të thella të Kukësit, si Grykë Çajë, Zapod, Kalis, Arrën etj., që vazhdojnë të jenë të bllokuara plotësisht nga dëbora.
Su.Di.