E Diel, 1 Nëntor 2026

Ben Bernanke, sërish një tjetër mandat njeriut që e nxori Amerikën nga kriza

Komisioni bankar i Senatit amerikan ka aprovuar nominimin e Ben Bernanke për një mandat të dytë si president i "Fed"-it. Fjala përfundimtare për konfirmimin përmes votimit i takon Senatit. Në favor të rizgjedhjes kanë votuar 16 anëtarë të komisionit, ndërsa 7 prej tyre votuan kundër. Ben Bernanke është cilësuar si njeriu i duhur që luajti një rol shumë të madh në ekonominë amerikane në këtë kohë krize. Por nëse 56-vjeçari nga shumë është cilësuar si njeriu që arriti të stabilizojë tregjet, për kundërshtarët republikanë iniciativat e tij kanë qenë jashtëzakonisht të kushtueshme. Por kishte edhe nga ata që e mbështetnin plotësisht rikonfirmimin e tij në krye të "Fed": "Nuk mendoj se ka ndonjë njeri tjetër në këtë vend që ka më shumë aftësi se Ben për të qenë në krye të FED", tha një senator republikan. Presidenti Obama, kur anunçoi nominimin e Bernanke në gusht, tha se ish-kreu i "White House Council of Economic Advisers" e mori drejtimin "Fed"-it në kohën e një prej krizave financiare më të këqija që kombi i tij dhe gjithë bota ishte përballur. Ai shtoi se falë aftësisë, bagazhit, ekspertizës për Depresionin dhe personalitetit të tij si një njeri gjakftohtë, Ben ishte personi i duhur për të ndihmuar në shërimin e ekonomisë. Bernanke, një ish-profesor i "Princeton", që në fillim u kritikua edhe për punën e tij si akademik, ndërmori disa iniciativa, ndër më të guximshmet në historinë e "Fed"-it. Senati nuk pritet të mblidhet para janarit dhe mandati i tij skadon në datën 31 të atij muaji. Pak ditë më parë, Ben Bernanke u cilësua nga "Time" si njeriu i vitit për shkak të kontributit të dhënë për "shërimin" e ekonomisë amerikane. Ai la pas personalitete të tilla si Barak Obama, Nensi Pelosi, Hamid Karzai dhe Husain Bolt.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›