Maliq, kreu i këshillit merret nga e djathta
Këshilli Bashkiak i Maliqit merret nga të djathtët. Ekzekutivi që drejtohej më parë nga shumica e majtë, ka kaluar djathtas pas ndryshimit të raporteve me bashkimin e një këshilltareje të LSI-së dhe një të PDS-së me grupimin e djathtë. Kanë qenë këta të fundit që kanë thirrur një mbledhje jashtë radhe për të kërkuar shkarkimin e kryetarit të këshillit bashkiak, Nazif Cenko.
Votimi i kryetarit pa praninë e të majtëve është kontestuar, por për sa kohë që të djathtët kanë shumicën e numrave, kryetar i ri është vendosur prej tyre Benimon Merollari, përfaqësues i PD-së. Sipas kryetarit të Bashkisë së Maliqit, shkarkimi i Cenkos dhe votimi për kreun e ri të këshillit nuk ka qenë i rregullt. Edhe pse ka pasur debate mbi këtë çështje, mbledhja është zhvilluar nën drejtimin e kryetarit të mëparshëm, deri në miratimin e kërkesës për mocionin e të djathtëve dhe shkarkimin e kryetarit. Me këtë ndryshim të këshillit pritet që të djathtët të marrin edhe shoqërinë anonime të kombinatit të sheqerit, pasi e kanë kërkuar në mbledhje diskutimin e kësaj çështjeje, e cila është shtyrë për një tjetër kohë, deri në njohjen me projektvendimin nga ana e këshilltarëve.
Këshilli Bashkiak i Maliqit ka 15 këshilltarë. Deri më tani 8 këshilltarë kanë qenë të majtë dhe 7 të pozicionuar djathtas, por me lëvizjet politike, shumica e majtë është rrëzuar. Ajo që ka çuditur të majtën, ka qenë pozicionimi në krah të këshilltarëve të djathtë të Rexhep Fejzos, i cili nuk ka dhënë motiv për këtë largim nga grupimi i mëparshëm, edhe pse i përkiste një force të majtë, siç është PSD-ja. Ai është caktuar nënkryetar nga ana e grupimit të djathtë, ndërkohë që me ikjen e tij djathtas dhe të këshilltares së LSI-së, Anila Bregu, të djathtët kanë marrë tashmë shumicën. Kjo lëvizje ka bërë që në këshill të jenë 9 këshilltarë të djathtë dhe 6 të grupimit të majtë.
J.Dhimitri