E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhaçka: Berisha-Meta duhet të hapin kutitë

Partia Socialiste reagoi dje pas thirrjes së Ilir Metës për një takim Berisha-Rama. Deputetja e kësaj partie, Olta Xhaçka, tha se Meta është një ndër aktorët e kësaj krize që ka kapur vendin.

"Ilir Meta, pasi tradhtoi zemrat e 83 mijë shqiptarëve që në zgjedhjet e 28 qershorit votuan kundër Sali Berishës, vazhdon të zhgënjejë të gjithë shqiptarët, të cilët ndryshe nga qytetarët e Serbisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi, do të mbeten të vetmit në Europë që nuk do të përfitojnë nga liberalizimi i vizave", u shpreh Xhaçka. Sipas saj, edhe nëse Ilir Meta dhe Sali Berisha janë vërtet të interesuar për të zgjidhur krizën, ku vetë Ilir Meta dhe ministrat e partisë së tij janë aktorë kryesorë duke rritur çmimin e energjisë dhe koston e kujdesit shëndetësor, le të hapin kutitë dhe të zbardhin të vërtetën e 28 qershorit. "Pa hapur kutitë ku këta zotërinj mbajnë fshehur krimin elektoral të 28 qershorit, nuk ka zgjidhje, por vetëm zgjedhje. Të hapin kutitë, ose të largohen", vërejti Xhaçka. "Ky njeri, shtoi ajo, që është sot paterica që mban Sali Berishën në pushtet, duhet t‘u shpjegojë të gjithë shqiptarëve pse në datën 19 dhjetor ata nuk do të mund të lëvizin lirisht në Europë, pse Shqipëria ngeli në klasë dhe do të jetë e fundit që do të liberalizojë vizat me Bashkimin Europian".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›