E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bora dhe stuhia, rrugët nën “sundimin” e borës

21/03/2009  Reshje të mëdha shiu dhe dëbore si dhe erërat e forta shkaktojnë probleme në qarkullim

Rikthehet dimri në të gjithë vendin. Shi, borë dhe stuhi kanë mbizotëruar ditën e djeshme nga veriu deri në jug. Përveç motit të ftohtë, probleme më së shumti janë konstatuar në rrugët e të gjithë Shqipërisë ku sidomos në Qafë-Kërrabë dhe në disa akse të tjera të vendit janë bllokuar me dhjetëra automjete gjatë orëve të vona të ditës së djeshme ku pavarësisht ndërhyrjeve ka pasur probleme të mëdha, pasi ndër pasagjerët e bllokuar ka pasur gra dhe fëmijë.

Situata

Reshjet e dëborës të filluara që gjatë dy ditëve më parë, por që vijuan edhe të nesërmen, bëri që e premtja ta gjejë gjithë rajonin e Korçës të mbuluar nga dëbora. Trashësia e saj në zonat malore ka shkuar deri në 30 cm, ndërsa në zonat fushore lartësia e saj shkon deri në 20 cm. Ndërkohë reshjet e dëborës nuk kanë patur të pushuar, ndërsa pritet që lartësia e saj të rritet nga çasti në çast. Veç sa më sipër, reshjet e dëborës kanë qenë të shoqëruara me temperature të ulëta deri në -2 gradë celsius, kurse në zonat malore nuk kanë munguar as erërat e forta, të cilat kanë sjellë shqetësim në mbajtjen hapur të rrugëve. Megjithatë, burime pranë zyrës së Emergjencave Civile të prefekturës Korçë bënë të ditur se që të gjitha rrugët nacionale janë të hapura dhe nuk është shënuar në asnjë rast ndonjë shqetësim për qarkullimin e automjeteve. Ndërkohë në Skrapar reshjet e shiut dhe dëborës kanë shkaktuar bllokimin e rrugëve në disa zona dhe komuna të rrethit të Skraparit. Burime nga pushteti lokal thanë se janë bllokuar disa rrugë që të çojnë në zonën e Gjerpësiot Potomit dhe Çepanit si dhe shkaktuar çrregullime në qarkullimin e mjeteve në komunat Leshnje, Gjerbs, Çepan, Potom dhe në fshatrat e tyre. Të bllokuara janë edhe Qafa e Kumbullave që të çojnë në komunën Tërpan me 15 fshatrat e saj të rrethit të Beratit.

Në Gjirokastër vështirësi në qarkullim është vërejtur në zonat malore, me lartësi 600 metra mbi nivelin e detit. Reshjet e dëborës që po mbizotërojnë aktualisht në jug të vendit, vazhdojnë të bie në komunën e Frashërit (Përmetit), në komunën e Zagorisë (Gjirokastër) dhe në komunën e Pogonit (Gjirokastër), duke detyruar forcat e policisë lokale të ndërhyjnë për të normalizuar situatën. Gjatë sezonit dhjetor-mars, në rajonit jugor janë shfaqur tri herë reshjet e dendura të dëborës. Një fakt i tillë nuk është regjistruar prej shumë dekadash. Por më problematike është paraqitur gjendja në qytetin e Sarandës ku janë pezulluar lundrimet për tragetet e linjës Sarandë-Korfuz (Greqi) e anasjelltas. Burime zyrtare nga kapitaneria detare në portin e Sarandës, pohuan se, lundrimi i anijes “Delfini”, "Fenikas" dhe "Jonian line", ka qenë i pamundur për shkak të dallgëzimit të detit nga 5-7 ballëve. Ndërsa në qarkun e Elbasanit reshjet e dëborës kanë bllokuar Qafë- Kërrabën e Qafë-Thanën, ndërsa ka pasur probleme të mëdha edhe në zonat malore. Policia Rrugore e vendosur përgjatë këtyre segmenteve ka bllokuar totalisht qarkullimin e mjeteve pa zinxhirë në drejtim të Qafë-Kërrabës dhe në të njëjtën formë është vepruar edhe në drejtim të Qafë-Thanës megjithëse në këtë segment ka pasur lëvizje për shkak të lidhjes së vetme me Korçën dhe Maqedoninë. Një mjet i Policisë Rrugore dhe dy gazetarë të mediave qendrore kanë mbetur të bllokuar në segmentin e Gracenit për disa orë. Situata ka vazhduar të jetë e vështirë dhe në mesditë ky segment nuk është këshilluar të qarkullohet as nëpërmjet zinxhirëve. Reshjet e dëborës kanë përfshirë të gjithë zonën e Elbasanit dhe vështirësi janë hasur në zonat malore si Gjinari, Labinot-Mal, Funar dhe disa fshatra në Gramsh. Në qarkun e Elbasanit janë regjistruar probleme edhe me furnizimin me energji elektrike në disa fshatra.

Në vështirësi udhëtarët

Bllokohen në Qafë-Kërrabë 50 automjete

Dëbora ka arritur një metër në segmentin e Petreshit deri në zbritje me drejtim Tiranën. Gjendja alarmante është krijuar në Qafë-Kërrabë ku kanë mbetur të bllokuar mbi 50 automjete mjaft prej të cilëve janë furgonë transporti. Alarmi SOS është dhënë në orët e mesditës. Megjithatë, të gjithë janë dorëzuar para këtij fakti. Shteti ka lënë në mëshirë të fatit njerëzit e tij. Borëpastrueset janë bllokuar nga reshjet e dendura të dëborës. Edhe efektivat e Policisë Rrugore kanë mbetur në mes të Kërrabës pa asnjë ndihmë. Më keq e kanë pësuar dhjetëra udhëtarë mes të cilëve fëmijë të vegjël dhe persona që kanë patur probleme me shëndetin. Edhe pse janë izoluar nga dëbora dhe të ftohtit askush, nuk ka ardhur në ndihmë të tyre. Disa nga udhëtarët janë sistemuar në lokalet në anë të rrugës. Të tjerë e kanë kaluar natën në automjete. Tre borëpastruese u bllokuan dhe nuk mund të çanin dëborën në këtë segment mjaft të vështirë. Rreth orës 21.00 kur reshjet e dëborës reshtën disi, borëpastrueset filluan pastrimin e rrugës për të ndihmuar të bllokuarit që ishin përfshirë në një situatë mjaft të vështirë. Gjithsesi ende ky segment paraqitet i vështirë megjithëse mjetet kanë filluar të largojnë borën e madhe që kishte bllokuar këtë segment rrugor, por situata vazhdon ende të mbetet e rënduar.

L. Lleshi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›