E Diel, 1 Nëntor 2026

Pritet miratimi i diplomave si dhe udhëzimi për veprimtarinë e personelit kademik

21/03/2009  Mbledhja e Senatit të Universitetit të Tiranës

Formati i ri i diplomave që do të jepet për kandidatët që mbarojnë studimet e larta sipas sistemit të Bolonjës, do të miratohet gjatë javës së ardhshme. Aktualisht janë përcaktuar dhe ndryshimet që do të përmbajë formati i diplomave. Specialistët e Universitetit të Tiranës pohojnë se në fillim të javës së ardhshme, konkretisht më 25 mars, do të zhvillohet mbledhja e Senatit të UT-së, ku do të merren një sërë vendimesh të rëndësishme, ndër të cilat është edhe miratimi i formatit të ri të diplomave. “Në këtë mbledhje pritet të diskutohen edhe çështje të tjera, si: shqyrtimi i vërejtjeve të ministrit të Arsimit për projektstatutin e UT-së, zgjedhja e 5 anëtarëve të Këshillit të Etikës të UT-së, miratimi i marrëveshjes me Universitetin e Torinos (Itali) etj. Gjithashtu do të merret në rishqyrtim edhe udhëzimi “Për veprimtarinë e personelit akademik në institucionet publike të arsimit të lartë”, shqyrtimi i propozimit të Këshillit të Fakultetit të Shkencave Sociale për ndarjen e departamentit të Filozofisë dhe Sociologjisë”, - pohohet nga UT.

Përmbajtja e detyrueshme

Përveç elementeve të rinj që do të shtojnë fakultetet, diplomat duhet të përmbajnë detyrimisht stemën e Republikës së Shqipërisë, emblema e institucionit përkatës të arsimit të lartë që e lëshon, emërtimin e institucionit përkatës, emrin, atësinë dhe mbiemrin e studentit, vendin dhe datën e lindjes, emërtimin e diplomës, datën e mbrojtjes së tezës së diplomës, numrin e amzës, matrikulimit të studentit, numrin e diplomës, datën e lëshimit të diplomës”. Pas përcaktimit të modelit konkret që do të përmbajë diploma e re, ajo u është depozituar edhe studentëve, të cilët kanë dhënë sugjerimet e tyre në lidhje me elementët grafikë shtesë që duhet të përmbajë.

Udhëzimi

Një pikë tjetër e rëndësishme që do të diskutohet në mbledhjen e senatit do të jetë dhë udhëzimi, “Për veprimtarinë e personelit akademik në institucionet publike të arsimit të lartë”, nëpërmjet të cilit do të saktësohen orët dhe ndarjet përkatëse të gjithë aktivitetit që stafet akademike do të duhet të kryejnë gjatë procesit mësimor.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›