E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Gjobë” deri 3 mijë kilovat orë për vjedhjen e energjisë

21/03/2009  Kompania private nuk lejohet të aplikojë penalizim financiar

Gjoba që aplikojnë specialistët e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes në rast se ka një lidhje të paligjshme të energjisë shkon deri në 3 mijë kilovat orë të konsumuara për familjarët. Mënyrat e ndëshkimit të vjedhësve të energjisë mund të ndryshojnë pas marrjes në duar të situatës nga kompania fituese e tenderit për privatizimin e OSSH-së. Kompania çeke CEZ që bleu OSSH-në gjithsesi nuk mund të aplikojë sanksione në lekë. Kjo pasi në ndryshimet e bëra në ligj parashikojnë që një kompani private nuk mund të aplikojë dhe vendosë penalizime financiare për klientët e saj. Pas shkrirjes së Policisë Elektrike janë vetë strukturat e OSSH-së që marrin masa për kontrollin e përdorimit të energjisë elektrike.

Vjedhja

Në janar të këtij viti u nënshkrua një marrëveshje me Policinë e Shtetit për të dënuar jo vetëm me një gjobë ata që vjedhin energjinë elektrike, por si vepër penale. Gjithashtu sipas ndryshimit në ligj, vjedhja e energjisë elektrike do të dënohet tani e tutje me burgim. “Lidhja e paligjshme me rrjetin e energjisë elektrike, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me burgim deri në 2 vjet”, - thuhet në nenin 137. Me sistemin e mëparshëm të kundravatjeve gjobat nisnin me 10 mijë lekë të reja për klientët familjarë deri në 5 milionë lekë për bizneset. Kjo në varësi të shkeljes.

Lidhjet abuzive

Sipas ligjit, klasifikohen si lidhje abuzive rastet kur abonenti ka kontratë për furnizimin me energji, ka sistem matës të energjisë (aktive, reaktive) me gjithë elementët e sigurisë, siç është vulosja e rregullt dhe konstatohet me lidhje apo linjë e instalimeve elektrike të përdoruesit para sistemit matës të energjisë. Ekspertët cilësojnë cenim të sistemit matës dhe të vulave të tij rastet kur abonenti ka kontratë për furnizimin me energji elektrike dhe sistem matës të energjisë të dokumentuar në kontratën e furnizimit me energji elektrike të lidhur me furnizuesin, por të cenuar pajisjet matëse qoftë edhe njëra nga tërësia. Gjithashtu në rastet ku është cenuar skema e matjes së bashku me lidhjet e nevojshme kabllore dhe elementët e sigurisë si vulosja e sistemit matës konsiderohet si cenim.

Lidhjet pa kontratë

Shkelje është gjithashtu nëse në rrjetin elektrik specialistët gjejnë raste kur instalimet elektrike të përdoruesit janë të lidhura në rrjetin e furnizuesit pa lidhur Kontratë Furnizimi. Nëse një abonent ka kryer dy shkelje të lidhjeve atëherë aplikohet vetëm njëra nga gjobat. “Kur përdoruesi konstatohet njëkohësisht me “lidhje abuzive para matësit” dhe “cenim të sistemit matës dhe të vulave të tij ”, ndaj kundërvajtësit aplikohet gjoba me vlerë më të madhe dhe llogaritet vetëm një dëm”, - shpjegojnë specialistët. Për rastet kur sistemi i matjes ndodhet në bokse kolektive dhe konstatohen cenime të tij enti shpërndarës mund të nisë hetimin sa i përket veprimit për të përcaktuar kundërvajtësin.

Moti i keq lë pa energji një pjesë të vendit

Një pjesë e mirë e linjave të energjisë elektrike kanës pësuar defekte për shkak të motit të keq. Shirat dhe reshjet e borës që kanë nisur gjatë ditëve të fundit në të gjithë vendin kanë shkaktuar avari në disa linja kryesore. Sipas burimeve të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes qarku i Kukësit, Hasit dhe Tropojës kanë mbetur pa energji për shkak se ka rënë sistemi i energjisë. Po kështu linja 110 kilovolt Vojnik - Peshkopi ka pësuar defekte duke lënë pa drita disa zona të pjesës verilindore të vendit, Bulqizën, Shupenzën, Gollobordën, Klosin dhe Mirditën. Sipas burimeve zyrtare avari kanë pësuar edhe disa fidera të linjës 6 kilovolt në Vlorë dhe në Fier, si dhe në Durrës. Si rezultat i rrëzimit të disa shtyllave të energjisë elektrike për shkak të motit të keq është ndërprerë energjia elektrike edhe në disa zona të Librazhdit dhe Gramsh. Po kështu, janë dëmtuar linjat 35 kilovolt në nënstacionet Radhimë - Orikum, Kuç – Himarë -Amonicë, si dhe kanë mbetur pa energji disa komuna të Skraparit dhe Beratit. Pa furnizim me energji elektrike janë aktualisht sipas burimeve zyrtare edhe disa fshatra në Korçë, Qafë - Thanë, disa zona të Pogradecit, Bilishtit, Peqini, Burreli dhe Peshkopia. Avari ka pësuar gjithashtu nënstacioni i Bicukasit që ka lënë pa energji elektrike Divjakën dhe disa komuna përreth saj. Operatori i Sistemit të Shpërndarjes është angazhuar dhe po qëndrohet në gatishmëri për të ndërhyrë në rast se do të ketë defekte të tjera. Për të riparuar sa më shpejt këto defekte, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes ka ngritur grupet e posaçme të riparimit të avarive dhe po punohet në të gjitha zonat e dëmtuara. Problem janë zonat me trashësi të madhe të dëborës që pengon riparimin e avarive.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›