Bora izolon prej ditësh komunat e thella në veri e juglindje
TIRANE-Disa komuna në veri të vendit dhe në juglindje të vendit kanë ndërprerë cdo kontakt me rrethet si pasojë e borës së madhe që ka rënë në këto zona. Në qarkun e Dibrës, fshatrat e Kalasë së Dodës dhe Tërnova e Madhe dhe Tërnova e Vogël janë mbuluar prej ditësh nga bora e cila ka arritur rreth 1 metër. Rrugët që të lidhin me qytetin nuk funksionojnë as për Ostrenin e Martaneshin, ndërsa totalisht të bllokuara rezultojnë komunat e Lurës. Bllokimi disa ditor nga bora ka përfshirë edhe komunën Zercan, që prej 30 ditësh rezulton e bllokuar nga bora. Në juglindje situata është vështirësuar ndjeshëm nga reshjet e dendura të borës që zgjatën prej disa ditësh. Komunat Dardhë, Voskopojë, Vithkuq janë bllokuar prej dy ditësh, ndërsa akset kryesore në këtë zonë, Qafa e Thanës dhe Kapshtica janë të kalueshme me zinxhirë. Tej Korcës, në Ersekë rezulton e bllokuar Qafa e Qarrit ndërsa në Përmet bora po mban të bllokuar komunën Frashër. Mësohet se autoritetet rajonale përkatëse po punojnë për zbllokimin e akseve kryesore nacionale me skorje dhe kripë. (d.b/BalkanWeb)