Bora "mbërthen" veriun, disa zona ende të bllokuara

Reshjet e dëborës të rënë gjatë natës së mbrëmshme kanë krijuar shumë probleme në akset nacionale, ndërsa shumë komuna janë izoluar totalisht, kryesisht në veri të vendit. Temperaturat e ulëta kanë shkaktuar edhe shtresa të trasha akulli dhe ngrica nëpër rrugë të ndryshme, duke e vështirësuar edhe më shumë qarkullimin dhe lëvizjen e automjeteve.
Probleme paraqiten në qarkun e Kukësit ku gjatë natës së mbrëmshme trashësia e borës është rritur me 10 cm. Të gjitha akset rurale janë të bllokuara, kurse autostrada Morinë- Kalimash kalohet vetëm me zinxhirë. I bllokuar mbetet është edhe aksi Kukës- Peshkopi, ndërsa 9 komunat, Arrën, Surroj, Ujimisht, Bushtricë, Kalis, Gryka e Cajës, Zapod, Shishtavec, Topojan janë krejtësisht të izoluara. Ndërkohë disa fshatra të komunave Bicaj dhe Malzi janë të bllokuar. Nga 49 shkolla në qarkun e Kukësit vetëm 13 prej tyre kanë marrë urdhër nga drejtoria arsimore të hapen dhe të zhvillojnë procesin mësimor.
Në qarkun e Dibrës të gjitha komunat e rrethit të Bulqizës janë të bllokuara nga dëbora. Trashësia e borës në disa fshtara ka arritur deri në 2 metra. Probleme si pasojë e ngricës dhe akullit në rrugë ka në Qafë Buall, Qafën e Ulzës dhe Fushë Bulqizë. Kreu i komunës Ostren i bën apel shtetit për rezerva ushqimore, pasi ato ekzistueset kanë mbaruar për banorët. Raportohet gjithashtu në komunat Ostren dhe Trebisht ka mungesë të energjisë elektrike. Gjithashtu të bllokuara mbetet edhe rruga Çerenc-Librazhd, kurse akset e tjera kalohen vetëm me zinxhirë. Si pasojë e motit të acartë Drejtoria Arsimore Rajonale e rrethit të Dibrës ka vendosur të ndërpresë për dy ditë procesin mësimor në Peshkopi.
Në qarkun e Shkodrës akset rurale janë tërësisht të bllokuara, kryesisht në Malësi të Madhe, Pukë dhe Dukagjin. Janë bllokuar akset Fierzë -Qafë Mali, Qafë Mali- Qafë Shllak. Në Malësi të Madhe janë izoluar akset Selcë-Vermosh, Tamar- Vermosh, Koplik- Bogë, Koplik- Razëm, Bogë- Teth. Po ashtu probleme ka në komunat Shalë, Shosh, Iballë, Bleran, ku trashëisa e dëborës ka arritur deri në 1 metër e gjysëm. Ndërsa në jug të vendit situata paraqitet më e normalizuar.