E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ibra "tradhton" Milanin, shpullë dhe karton i kuq

ITALI- Një "çmenduri" e Zlla tan Ibrahimoviç, që ka goditur me shpullë lojtarin e Napolit Aronika, ka bërë që Milani të mos fitojë dot as këtë herë. Kampionët e Italisë duken në një moment jo, edhe pse në sfidën e djeshme kanë dominuar ndaj ekipit të Maxarrit. Një gol i "ngrënë" nga Robinjo dhe shumë paqartësi para portës, kanë bërë që Milani të mos shënojë dot edhe pse shanset nuk kanë munguar. Por, në momentin më të mirë të ekipit kuqezi, ka menduar Ibra që të shkatërrojë gjithçka. Pas një incidenti në fushë, suedezi ka goditur qartë me shpullë Aronikën, gjë që u pa nga arbitri anësor. Dalja e tij me të kuqe ndikoi direkt në rezultatin e ndeshjes, pasi Napoli pati dy-tre mundësi të mira për të realizuar. Edinson Kavani në fillim doli vetëm për vetëm me Abiatin dhe gaboi në gjuajtjen e tij me kokë, ndërkohë që në minutën e 93- të, gjysmëkthesa e tij ishte shumë qendrore dhe u prit nga portieri i Milanit. Ndërkohë, jashtë përfundoi edhe trajneri Masimiliano Alegri për protesta. Me këtë barazim, Milani mbetet 1 pikë pas Juventusit, që ka edhe një ndeshje për të rikuperuar, atë kundër Parmës. Për fatin e skuadrës së Alegrit, bardhezinjtë nuk kanë shkuar më shumë se një 0-0 ndaj Sienës.
DËNIMI
Pas episodit të djeshëm, Zllatan Ibrahimoviç rrezikon të dënohet 2-3 ndeshje pezullim. Nëse ai akuzohet për sjellje të dhunshme, stopi do të jetë për minimumi 3 ndeshje, ndërsa në rastin e sjelljes së rëndë sportive, pezullimi shkon 2 ndeshje. Në rastin e parë, ai do të mbeste jashtë për ndeshjen me Juventusin, ç'ka do të ishte një humbje e madhe për Milanin. "Lexoj opinione katastrofike, por nuk kishte aspak dhunë, - deklaroi administratori i Milanit Adriano Galiani. - Nuk mendoj se Ibra do të dënohet më shumë se dy javë. Pati edhe një gjest të Aronikës ndaj Noçerinos, por unë e pashë, ndërsa arbitri jo", shtoi ai. "Ishte një ndeshje e mirë, edhe pse nuk fituam, - deklaroi trajneri Alegri. - Edhe pse mbetëm me 10 vetë, vazhduam të luanim dhe jam i kënaqur", shtoi ai.
MAXARRI
Trajneri i Napolit Valter Maxarri ka qenë i kënaqur me pikën e marrë në "San Siro". "Luajtëm një ndeshje të mirë, - tha ai. - Kështu na ka ndodhur shpesh në javët e fundit, pasi bëjmë ndeshje të mira dhe në fund vuajmë faktin që nuk jemi të qartë përpara portës". Edhe pse para ndeshjes një pikë do të tingëllonte mjaft mirë, Maxarri nuk është shumë i kënaqur. "Për fat të keq edhe sot na mungoi shkëndija finale. Gjithsesi, jam i kënaqur nga paraqitja e skuadrës time", tha tekniku. Pasi Milani mbeti me 10 vetë, Napoli pati dy mundësi të mira me Kavanin për të realizuar golin e avantazhit.
(ma.ar/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›