Bora në Dukagjin gati 1 metër

(E plotësuar) Deri më tani trashësia e borës arrin mbi 80 centimetër në rajonin e Deçanit, kështu ka thënë drejtori i shërbimeve publike në këtë komunë, Admin Hasanaj.
Ai bëri të ditur se në orët e hershem të mëngjesit është punuar që të pastrohen rrugët kryesore të cilat janë zhbllokuar në tërësi për të vazhduar tutje në rrugët e të gjitha fshatrave.
Sipas tij, më vështirësi të mëdha mund të dilet sidomos nga regjioni i Vokshit./Indeksonline/
-----
16:00 “Pastrimi”: Po kemi vështirësi
Zyrtarë të kompanisë “Pastrimi”, thonë se janë duke hasur në vështirësi në pastrimin e dëborës në kryeqytet.
Arbënore Ademi, zëdhënëse e kompanisë “Pastrmi”, tha për Indeksonline se problem të madh në pastrimin e rrugëve po paraqesin veturat e parkuara keq, sidomos ato në trotuar.
Ndryshe, sipas saj, ekipet e kompanisë po punojnë pa ndërpre për pastrimin e gjitha rrugëve.
Kjo kompani, përkujdeset për rrugët në periferi të kryeqytetit, në lagjen “Velania”, “Taslixhe”, “Kodra Trimave”, “Vneshtat” e “Fusha Pajtimit”./Indeksonline/
-----
15:20 Sot mbi 60 aksidente trafiku
Reshjet e mëdha dhe të pandërprera të borës kanë vështirësuar qarkullimin e automjeteve në gjithë territorin e Kosovës.
Sipas Policisë së Kosovës, si pasojë e borës, deri në orën 15:00 të ditës së sotme, janë shkaktuar mbi 60 aksidente trafiku, prej të cilave tetë me persona të lënduar.
Toger Brahim Sadriu, zyrtar për informim në Policinë e Kosovës, ka deklaruar për Indeksonline se të gjitha rrugët magjistrale janë të kalueshme, por paraqitet vështirësi në qarkullim.
Ndërsa Indeksonline mëson se shumë rrugë lokale në rajonin e Prizrenit, Deçanit, Pejës dhe Klinës mbesin të pakalueshme.
“Gjendja paraqitet më e rëndë në rajonin e Dukagjinit, ndërsa në aksin rrugor Pejë-Kullë-Rozhajë është ndërprerë qarkullimi për të gjitha automjetet e rënda”, ka thënë Sadriu.
Policia e Kosovës ka apeluar tek të gjithë ngasësit e automjeteve që ti barin me vete të gjitha pajisjet dimërore pasi që gjendja paraqitet e vështirësuar në të gjitha rruhet e Kosovës./Indeksonline/
-------
13:55 Disa komuna problem me energjinë
Moti i ftohë dhe bora që po bie ditëve të fundit, ka shkaktuar telashe në furnizimin me energji elektrike për disa komuna.
Ndonëse zyrtarët e Korporatës Elektrike të Kosovës deklarojnë se gjendja është e mirë me energji, në disa qytete të Kosovës ka mungesë të energjisë.
Mbrëmë në rajonin e Dukagjinit dhe atë të Drenicës, ka ndërprerje të theksuar të energjisë.
Viktor Buzhala, zëdhënës i Korporatës Energjetike të Kosovës, ka deklaruar për Indeksonline se momentalisht gjendja është e mirë dhe pa reduktime të energjisë elektrike.
“Në sistem janë katër blloqe që po prodhojnë 800 megavate/orë, plus importi që vjen në bazë të kërkesës”, tha zëdhënësi Buzhala.
Ai thotë se mungesë e energjisë në disa komuna vjen si pasojë e prishjeve në rrejt të shkaktuara nga moti i lig.
“Prishje të kohëpaskohshme kemi kryesisht në rajonin e Dukagjinit, mirëpo ato po sanohen pasi ekipet e KEK-ut janë në terren”, ka deklaruar Buzhala./Indeksonline/